Në Tiranë u zhvillua këtë prill festivali i parë “AlbBite – Albania’s Gastronomic Diplomacy Festival”, një iniciativë e organizuar nga AlbChef, platformë që bashkon shefa dhe profesionistë të sektorit HORECA me origjinë shqiptare në mbarë botën.
Qëllimi i festivalit ishte evidentimi i pjatave më unike shqiptare dhe promovimi i tyre përtej kufijve, duke përdorur rrjetin e shefave shqiptarë si ambasadorë të kuzhinës dhe produkteve vendase në arenën ndërkombëtare.
Eventi dyditor u zhvillua me katër panele kryesore me temat: “Roli i kulturës dhe eksperiencës në formësimin e turizmit”, “Ushqimi, identiteti, standardet dhe lidhja globale”, “Vera si kulturë dhe identitet” dhe “Zërat e rinj të kuzhinës mes traditës dhe inovacionit”.

Në diskutime morën pjesë figura të rëndësishme nga fusha e turizmit, zhvillimit ekonomik dhe gastronomisë, mes tyre Erik Wolf (World Food Travel Association), Zana Çela (Agjencia Kombëtare e Turizmit), Elvis Kotherja (Elite Travel Group), Laura Saro (Albanian Investment Development Agency), si dhe përfaqësues ndërkombëtarë nga CIHEAM Bari dhe GIZ Albania. Panelet u moderuan nga Ilda Lumani, Alban Dudushi dhe Alba Xhani.

Në fokus të veçantë ishte edhe paneli “Zërat e rinj të kulinarisë”, i moderuar nga Enkel Demi, ku më shumë se 15 shefa nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare në Evropë diskutuan mbi bashkimin e traditës me inovacionin në gastronomi.
Në festival morën pjesë gjithashtu një numër i madh shefash të njohur si Gentian Skendaj, Bledar Kola, Alfred Marku, Florina Skeja (Kosovë), Sokol Prenga, Oltion Veshi (Holandë), Faruk Neziri (Itali), Bujar Veshi, Rushan Xhafaj (Itali) dhe të tjerë profesionistë të kulinarisë shqiptare në botë.

Pas këtij hapi të parë, AlbChef, nën drejtimin e Ismail Ademit, ka njoftuar një nismë të re për vitin 2026, ku do të organizohen darka me tematikë shqiptare në 50 restorante shqiptare në mbarë botën, me synimin për të promovuar më tej kuzhinën dhe identitetin gastronomik shqiptar në nivel global.
