
Këngëtari shqiptar Ermal Meta ka ndarë një rrëfim emocional gjatë intervistës në podcastin “Inspire” të Alketa Vejsiut, ku zbuloi se ka birësuar dy vajza shqiptare, Klodin dhe Lumin.
Ai tregoi se vajzat iu bashkuan familjes së tij në Itali në qershor të vitit të kaluar, menjëherë pasi mbushën moshën 18-vjeçare. Sipas Metës, vendimi për t’i birësuar erdhi pasi kuptoi se askush nuk ishte i gatshëm t’i pranonte, vetëm sepse nuk ishin më fëmijë të vegjël.
Gjatë bisedës, artisti u ndal edhe te kujtimet e fëmijërisë së tij në Shqipëri, emigrimi drejt Italisë dhe lidhja e fortë që vazhdon të ketë me vendin ku u rrit. Sot, Ermal Meta jeton në Itali me partneren e tij, Chiara Sturdà, vajzën e tyre të vogël dhe dy vajzat e birësuara, Klodin dhe Lumin.
