KreuCelebrity

Kabaja shqiptare do të dëgjohet në “The Odyssey”, Ervis Rapaj pjesë e produksionit

Kabaja shqiptare do të dëgjohet në “The Odyssey”,
Një tjetër element i kulturës shqiptare do të dëgjohet në një prej produksioneve më të mëdha të kinemasë botërore. Artisti Ervis Rapaj ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e realizimit të filmit “The Odyssey”, me regji nga Christopher Nolan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rapaj u shpreh se ndihet i privilegjuar dhe mirënjohës që iu dha mundësia të kontribuojë në këtë projekt, duke interpretuar kabanë shqiptare.

Ai zbuloi se ka punuar pranë kompozitorit të njohur Ludwig Göransson, fitues i çmimit Oscar, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tinguj autentikë të iso-polifonisë dhe instrumenteve tradicionale shqiptare. Këto elemente do të bëhen pjesë e kolonës zanore të filmit.

“Jam i nderuar që interpretova kabanë shqiptare dhe punova pranë kompozitorit të jashtëzakonshëm Ludwig Göransson. Faleminderit që më përzgjodhe të jem pjesë e këtij projekti kaq të veçantë. Të uroj shumë suksese në krijimtarinë tënde artistike”, shkroi Rapaj.

Në fund të mesazhit të tij, artisti theksoi krenarinë që një copëz e shpirtit të muzikës shqiptare do të dëgjohet në mbarë botën përmes filmit të shumëpritur të Christopher Nolan.

Ky bashkëpunim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për trashëgiminë muzikore shqiptare, duke e çuar atë në një skenë ndërkombëtare përmes një prej projekteve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit.