
Aktorja e njohur Cameron Diaz ka ndarë këndvështrimin e saj për jetën në çift, duke thënë se ndarja e dhomave të gjumit nuk duhet të konsiderohet si shenjë e problemeve në marrëdhënie.
Gjatë një bisede në podcast-in “Lipstick on the Rim”, Diaz u shpreh se shumë çifte ndihen nën presion për të ndjekur modele tradicionale të bashkëjetesës, ndërsa, sipas saj, secili partner duhet të ketë hapësirën e vet personale.
Ajo imagjinoi një model ideal ku secili ka dhomën e vet të gjumit, ndërsa ekziston edhe një ambient i përbashkët i dedikuar për intimitetin dhe kohën si çift.
“Unë do të kisha dhomën time, ti tënden dhe në mes do të ishte shtëpia jonë familjare. Do të flinim secili në hapësirën e vet, ndërsa do të kishim një dhomë ku të kalonim momentet tona intime,” u shpreh aktorja.
Megjithatë, Cameron Diaz sqaroi se kjo ishte vetëm një ide hipotetike dhe jo mënyra se si e sheh aktualisht martesën e saj. Ajo theksoi se nuk mendon më në të njëjtën mënyrë dhe foli me fjalë të ngrohta për bashkëshortin e saj, Benji Madden, duke e cilësuar atë “një njeri të mrekullueshëm”.
Cameron Diaz dhe Benji Madden janë të martuar që nga viti 2015 dhe vazhdojnë të mbajnë një profil të ulët sa i përket jetës së tyre private.
