KreuCelebrity

Ndahet nga jeta Brenda Fricker, aktorja që preku zemrat me rolin në “Home Alone 2”

Ndahet nga jeta Brenda Fricker, aktorja që preku zemrat me rolin
Aktorja irlandeze Brenda Fricker, fituese e çmimit Oscar dhe e njohur për rolin e saj të paharrueshëm si “Zonja e pëllumbave” në filmin Home Alone 2: Lost in New York, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore.

Lajmin e trishtë e konfirmoi agjenti i saj, Phil Belfield, i cili e përshkroi Fricker si një artiste unike dhe të pazëvendësueshme.

“Nuk do të ketë më kurrë një tjetër si Brenda. Bota është më e varfër pa të. Ishte privilegj ta njihja, ta doja dhe të punoja me të. Ajo do të mbetet përgjithmonë në zemrën time dhe në zemrat e miliona adhuruesve të filmit dhe televizionit,” u shpreh Belfield për BBC.

E lindur në Dublin më 17 shkurt 1945, Brenda Fricker ndërtoi një karrierë të suksesshme që zgjati më shumë se gjashtë dekada, duke lënë gjurmë në teatër, televizion dhe kinematografi.

Në vitin 1990, ajo hyri në histori si aktorja e parë irlandeze që fitoi një çmim Oscar, pasi u vlerësua me çmimin për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor për interpretimin e Bridget Brown në filmin My Left Foot, ku luajti përkrah Daniel Day-Lewis.

Për publikun ndërkombëtar, Fricker mbetet veçanërisht e dashur për interpretimin e gruas së vetmuar që jetonte mes pëllumbave në Central Park dhe ndihmonte Kevin McCallister në filmin Home Alone 2: Lost in New York, një rol që u kthye në ikonë.

Gjatë karrierës së saj ajo interpretoi edhe në filma të njohur si The Field, A Time to Kill, Angels in the Outfield, Veronica Guerin, si edhe në serialin britanik Casualty.

Në vitin 2020, aktorja kishte folur hapur për vetminë që përjetonte gjatë festave të fundvitit, duke treguar se jetonte e vetme dhe se periudha e Krishtlindjeve ishte shpesh e vështirë emocionalisht për të.