
Benny Blanco ka rrëfyer për herë të parë disa detaje nga fillimet e historisë së dashurisë me Selena Gomez, duke zbuluar se marrëdhënia e tyre kishte nisur shumë përpara se të bëhej publike.
Në një intervistë për gazetën spanjolle El País, producenti muzikor tregoi se ai dhe këngëtarja vendosën ta mbanin lidhjen larg vëmendjes së publikut për rreth tetë deri në nëntë muaj.
“E mbajtëm marrëdhënien private për një kohë të gjatë, rreth tetë ose nëntë muaj”, u shpreh Blanco, duke kujtuar edhe momentin kur Selena e pyeti nëse ishte vërtet i sigurt për ta bërë publike romancën e tyre.
Sipas tij, këngëtarja i kishte dhënë mundësinë që të mbeteshin vetëm miq, por ai zgjodhi të ndiqte ndjenjat e tij. “Le ta bëjmë”, ishte përgjigjja e tij.
Blanco tregoi gjithashtu se një nga arsyet që lidhja e tyre është e fortë lidhet me faktin se të dy kanë pranë njerëz që i njohin prej shumë kohësh, përpara se fama t’i kthente në figura publike.
Producenti foli edhe për presionin që sjell ekspozimi mediatik, duke pranuar se nuk është gjithmonë e lehtë të jetosh nën vëzhgimin e vazhdueshëm të publikut.
Selena Gomez dhe Benny Blanco nisën të përfliteshin si çift në vitin 2023, ndërsa në dhjetor të atij viti këngëtarja konfirmoi lidhjen e tyre, duke treguar se kishin qenë bashkë prej disa muajsh në mënyrë private.
Çifti u fejua në fund të vitit 2024 dhe më pas kurorëzoi dashurinë me martesë në vitin 2025, në një ceremoni në Santa Barbara, Kaliforni.
