KreuCelebrity

Spanja në finale, festa e familjes mbretërore bëhet virale në rrjet

Fitorja e Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 është festuar me emocione të mëdha edhe nga familja mbretërore spanjolle.

Mbreti Felipe VI, Mbretëresha Letizia, Princesha Leonor dhe Infanta Sofía e ndoqën së bashku ndeshjen nga Barcelona, pasi angazhimet në ceremoninë vjetore të Çmimeve “Princesha e Gironës” i penguan të udhëtonin drejt Teksasit.

Pallati Mbretëror publikoi një video nga momentet private të familjes gjatë sfidës, duke ofruar një pamje të rrallë nga mënyra se si ata e përjetuan kualifikimin historik të kombëtares.

Të katërt shfaqeshin të veshur me fanellat e Spanjës dhe ndiqnin me tension çdo aksion. Pas vërshëllimës përfundimtare, Mbreti Felipe ngriti duart në ajër dhe më pas përqafoi Mbretëreshën Letizia dhe dy vajzat e tij në një përqafim të përbashkët plot emocion.

Në fanellën e Mbretit ishte vendosur numri 26, ndërsa Princesha Leonor mbante emrin e saj të shkruar në pjesën e pasme.

Spanja në finale, festa e familjes mbretërore bëhet virale

Spanja në finale, festa e familjes mbretërore bëhet virale

Spanja siguroi biletën për në finalen e madhe pas fitores 2-0 ndaj Francës në stadiumin AT&T në Arlington. Golat e Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro rikthyen “La Roja”-n në një finale botërori për herë të parë që nga triumfi i vitit 2010.

Krahas videos, familja mbretërore publikoi edhe një mesazh urimi për skuadrën.

“Edhe një herë treguat pse jeni një nga kombëtaret më të mëdha në botë. Tani, me një vend të tërë pas jush, ka ardhur momenti të luftoni për titullin”, thuhej në reagim.

Mesazhi përfundonte me një falënderim për futbollistët për emocionet e dhuruara gjatë gjithë turneut dhe me një thirrje për të dhënë gjithçka në finalen e së dielës.

Ndërsa mijëra tifozë festonin në rrugët e Madridit dhe në qytete të tjera të Spanjës, familja mbretërore tregoi se po përjetonte të njëjtin entuziazëm, edhe pse larg tribunave të stadiumit.