KreuCelebrity

“Në 300 km/h, zemra shkon në 170 rrahje”, Erjus Tufa rrëfen jetën me “të dashurën e hekurt”

Pas zhurmës së motorit të pilotit Erjus Tufa nisin të marrin jetë një lumë emocionesh dhe adrenaline që ai nuk mund t’i përshkruajë dot me fjalë. Prej më shumë se 20 vitesh në pistat e garave më prestigjioze, nuk e fsheh se ai çasti pak para startit është një vullkan që i jep zemrës dyfishin e rrahjeve. Erjusi jeton mes pistave, sfidave dhe pasionit për shpejtësinë, duke e kthyer motorsportin në një mënyrë jetese. Përtej trofeve dhe rezultateve që e kanë shpërblyer me mbi 30 trofe, rrugëtimi i tij vijon ende me qëllimin për të kapërcyer kufijtë që i vendos vetes. Sot, krahas garimit, ai është i angazhuar edhe në formimin e brezit të ri të pilotëve, duke përcjellë përvojën dhe dashurinë për një sport që vazhdon t’i japë të njëjtin emocion si ditën e parë. Në këtë intervistë, Erjus Tufa na flet për adrenalinën e garave, sakrificat, pasionin e tij dhe lidhjen e veçantë me motorin, por edhe disa sporte të tjera që mbushin jetën e tij.

Erjus, si është ta shohësh jetën me shpejtësi 300 kilometra në orë?

Është një emocion që nuk e përshkruan dot me fjalë! Unë bëj shumë sporte, por adrenalina që të dhuron është shumë e veçantë – duhet ta provosh që të flasësh. Kur e ke pasion e kupton që është një pasion që të ndryshon jetën.

Prej sa vitesh garon si pilot profesionist dhe a duhet të jesh pak rebel për të guxuar?

Kam mbi 20 vite që garoj. Duhet të jesh pak rebel për të qenë motorist, sepse një pilot guxon shumë. Duhet të jesh pak ‘i çmendur’ me veten, sepse këto lloj garash të bëjnë të kalosh kufijtë e tu. Në momentin që je në garë me pilotë të tjerë, duhet t’i japësh forcë vetes. Në fillim nuk ishte kaq e lehtë, nuk kisha motor, derisa m’u ofrua një motor i cili më ndryshoi pikën e synimit dhe jeta ime mori një kthesë.

Cila është kategoria më e preferuar për ju?

Ka disa kategori, por unë të preferuar kam Supermoto, kam provuar edhe MotoCross dhe Rally, po të gjitha duan shumë stërvitje.

Si është ajo ndjesia para nisjes së startit?

Në momentin që bëhesh gati për startin e garës, 5 minutat e para je energjik, por në momentin që të thonë; pesë minuta fillon gara, aty përjeton emocione shumë të larta. Ndodh që një pilot dy ose tri ditë para garës nuk fle gjumë. Kur vjen momenti i startit rrahjet e zemrës së çdo piloti mund të shkojnë 160 ose 170 rrahje në minutë. Ky emocion ikën pastaj kur nis gara: harrohet çdo gjë, madje edhe familja. Je vetëm ti dhe motori. Je i fokusuar që të dalësh sa më mirë.

A kanë pilotët një regjim të caktuar, i cili ka të bëjë me fizikun, ushqimin dhe stërvitjen?

Regjimi kryesor është që duhet të jesh i stërvitur sepse gara ka një lodhje jashtëzakonshme. Edhe pse janë gara që mund të zgjasin 20 apo 25 minuta, duhet të japësh maksimumin.

Garon më shumë për të fituar apo sfiduar veten?

Nuk jam shumë i fokusuar te fakti që dua të fitoj patjetër. Ideja është që ta çosh veten përpara, nuk jam shumë i fokusuar te fitorja. Po të isha te renditja e parë sigurisht që është shumë mirë për çdo pilot. Nga ana tjetër jam duke ndihmuar edhe brezin e ri, po stërvitim një brez pilotësh të rinj që deri tani janë shumë mirë dhe premtues.

A është ky një sport vetëm për djem?

Jo përkundrazi, ka vajza të cilat janë shumë mirë, madje arrijnë edhe më mirë se djemtë. Vajzat nuk janë më ato që kanë qenë dikur. Deri tani ka 30 vajza që kanë motora dhe bëhen pjesë e këtyre garave.

A ka pasur ndonjë moment lëndimi që të ka bërë të heqësh dorë?

Dëmtime kam patur, por e kam vazhduar. Edhe kur kam bërë një aksident, sapo jam bërë mirë jam rikthyer.

Valentino Rossi ka thënë: Motorin e shoh si një grua të cilën duhet ta duash, ti si e sheh?

Unë i kam thënë motorit – e dashura e hekurt. Thjesht ti dashurohesh me atë dhe nuk jeton dot më pa atë. Edhe sikur të jetë i prishur, nuk të zë vendi derisa ta rregullosh. Ai duhet të jetë gati aty duke të pritur ty, po nuk ishte gati, një motorist ndihet shumë keq.



Ke një rutinë dhe sa motora ke?

Sa herë del në mëngjes e kontrollon, qoftë edhe nëse ka nevojë për shërbime. Kam tetë ose nëntë motorë dhe secili ka punën e vet. Nëse do ta ndërroj, do të marr një të ri.

A është një investim i vërtetë financiar ky sport?

Është një investim sepse vetëm ashtu do të jesh i sigurt edhe për garat që të presin.

Sa motora ke për momentin? Familja a të ka mbështetur?

Po familja më ka mbështetur, edhe bashkëshortja po ashtu. Nipat e mi janë për momentin shumë mirë sepse kanë ndjekur rrugën time. Kanë fituar disa gara dhe më vjen mirë që do ta mbajnë mbiemrin tonë akoma si pjesë të garave me motora.

Fluturimet me parashutë dhe skiimi janë disa pasione të tuat, si e gjen kohën?

Secili prej tyre ka kohën e vet. Skiimi bëhet në një kohë që nuk ke shumë sporte të tjera sepse bëhet në dimër. Po ashtu më pëlqen shumë parashutimi sepse më jep një ndjesi unike kur jam në ajër dhe shoh atë pamjen nga lart.

Është një ndjesi shumë e bukur dhe e rekomandoj të gjithëve ta provojnë të paktën një herë, sepse është e sigurt 100 për qind.

A ke një ëndërr që e synon, që ka të bëjë me pilotimin?

Jo nuk kam, pasi pak a shumë ato ëndrra që kam pas i kam arritur. Tani po mundohem që të zhvilloj më shumë këtë sport me brezin e ri dhe ka shumë që premtojnë. Ne kemi një ekip që quhet AMS-ja dhe qëllimi për të lënë një brez që po trashëgon këtë sport, më bën të ndihem shumë mirë. Së fundmi, nipi im ishte pjesë në dy gara në Kosovë, ku fitoi vendin e parë bashkë me shokun e vet Albionin. Edhe pse është një sport ku garon vetë, fryma e ekipit ekziston sepse krijohet një lidhje me njëri-tjetrin.