Sunny Hill Festival 2026 do të sjellë në skenë jo vetëm yje të njohur ndërkombëtarë, por edhe disa prej emrave më të dashur të muzikës shqiptare. Ledri Vula, Lyrical Son dhe MC Kresha janë konfirmuar si pjesë e edicionit të sivjetmë, duke shënuar një tjetër rikthim të tyre në festivalin që çdo verë mbledh mijëra adhurues të muzikës në Prishtinë.
Konfirmimi është bërë përmes posterëve zyrtarë të publikuar nga organizatorët, ku tre reperët shqiptarë shfaqen mes artistëve që do të performojnë gjatë tri netëve të festivalit.
Ledri, Lyrical Son dhe MC Kresha kanë qenë edhe më parë pjesë e Sunny Hill, ndërsa performancat e tyre janë pritur me entuziazëm nga publiku. Edhe këtë herë, ata pritet të sjellin në skenë këngët më të njohura të repertorit të tyre, si dhe bashkëpunimet që ndër vite janë kthyer në hite të muzikës shqipe.
Prania e tyre në program pritet të tërheqë veçanërisht publikun vendas, për shkak të popullaritetit të madh që gëzojnë dhe marrëdhënies së krijuar ndër vite me festivalin.
Krahas artistëve shqiptarë, Sunny Hill Festival 2026 do të mirëpresë edhe emra të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare. Katy Perry do të jetë kryefjala e natës së parë, ndërsa mbrëmja e dytë do të udhëhiqet nga kantautori skocez Lewis Capaldi.
Festivali do të mbyllet me Martin Garrix, një prej DJ-ve dhe producentëve më të njohur në botë, i cili rikthehet në Prishtinë për të elektrizuar publikun me performancën e tij.
Ndërthurja e yjeve botërorë me artistët më të suksesshëm shqiptarë e vendos Sunny Hill Festival mes ngjarjeve muzikore më të rëndësishme të verës, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
