KreuCelebrity

Zbulohet shkaku i vdekjes së aktorit Sam Neill, ylli i “Jurassic Park”

Zbulohet shkaku i vdekjes së aktorit Sam Neill, ylli i “Jurassic
Aktori i njohur Sam Neill, i paharrueshëm për rolin e doktor Alan Grant në “Jurassic Park”, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare si pasojë e pneumonisë. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi i tij për revistën “People”.

Para se të përballej me problemet e fundit shëndetësore, Neill kishte kaluar një betejë të vështirë me një formë të rrallë të kancerit të gjakut. Aktori ishte diagnostikuar në vitin 2022 me limfomën angioimunoblastike të qelizave T, një sëmundje e rrallë e sistemit limfatik.

Sipas përfaqësuesit të tij, Neill arriti ta mposhtte sëmundjen pas një trajtimi modern të quajtur CAR-T therapy, një metodë inovative që përdor qelizat e vetë pacientit për të luftuar kancerin.

“Para se të sëmurej, Sam luftoi me shumë kurajë dhe mposhti limfomën përmes këtij trajtimi të ri”, thuhej në deklaratën e përfaqësuesit të tij.

Pavarësisht sfidave shëndetësore, aktori vazhdoi të ishte aktiv në punën e tij. Gjatë 12 muajve të fundit të jetës, ai realizoi katër projekte filmike dhe njëkohësisht vazhdoi të merrej me kantinën e tij të verës Two Paddocks në Zelandën e Re.

Familja e tij bëri të ditur se Sam Neill u nda nga jeta më 13 korrik në Sydney të Australisë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt. Ata e përshkruan largimin e tij si “të papritur”, duke theksuar se aktori u nda nga kjo botë me të njëjtin dinjitet që e kishte karakterizuar gjatë gjithë jetës.

Një ceremoni private përkujtimore do të zhvillohet më vonë në fermën e familjes së tij në Zelandën e Re. Të afërmit falënderuan gjithashtu stafin mjekësor të St Vincent’s Private Hospital për kujdesin dhe përkushtimin e treguar.

Sam Neill fitoi famë botërore me interpretimin e tij si doktor Alan Grant në filmin klasik “Jurassic Park” të vitit 1993 dhe rikthimin në vazhdimet e tij. Gjatë karrierës së tij të gjatë ai u shfaq edhe në produksione të njohura si “The Hunt for Red October”, “The Piano”, “The Tudors” dhe “Peaky Blinders”.

Lajmi i vdekjes së tij preku shumë figura të Hollywood-it, të cilët ndanë mesazhe kujtimi dhe respekti, mes tyre Nicole Kidman, Toni Collette, Kylie Minogue, Alec Baldwin, Richard E. Grant, Cillian Murphy dhe Henry Golding.

Aktori lë pas katër fëmijë: Andrew, Tim, Maiko dhe Elena. Ai ishte i martuar me grimieren Noriko Watanabe nga viti 1989 deri në vitin 2017.