
Vila 31 x Art Explora do të organizojë edicionin e dytë të programit “Studiot e Hapura”, i cili do të zhvillohet nga 17 deri më 19 korrik 2026 në Tiranë. Për tre ditë me radhë, publiku do të ketë mundësinë të vizitojë studiot e artistëve rezidentë dhe të ndjekë një program të pasur me ekspozita, performanca, shfaqje filmash, biseda, lexime, punëtori dhe aktivitete për familjet.
Programi nis të premten, më 17 korrik, me shfaqjen e filmit “Archive of Absence” nga kolektivi në rezidencë Elidor Mëhilli dhe Ilir Tsouko, si edhe me aktivitetin ARTiLERIA SAZAN, kushtuar biodiversitetit të zonave të mbrojtura Vjosë–Nartë. Gjatë ditës do të zhvillohet gjithashtu një punëtori me komunitetin nga artisti Hashel Al Lamki, ndërsa në mbrëmje publiku do të ndjekë filmin “Everything You Never Heard Of”, të shoqëruar me një sesion pyetje-përgjigje me artistin Arthur Gillet.
Në program përfshihen edhe konferenca “Pse nuk na dëgjoni?”, në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë (ANAD), diskutimi “Jeta e fshehtë e librave në Vilën 31” me Elidor Mëhillin dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, si edhe mbrëmje muzikore nga artistët rezidentë.
Dita e dytë, më 18 korrik, sjell vijimin e programit ARTiLERIA SAZAN, lexime letrare nga artistët e programit ORAMA, bisedën mbi projektin “Archive of Absence”, performancën e Hashel Al Lamki dhe Ndrekodjalit, si dhe shfaqjen e filmit “Waswas” nga artisti rezident Vartan Avakian.
Ndërsa më 19 korrik, aktivitetet do të përfshijnë një bisedë artistike me Nanténé Traoré, një program familjar me punëtorin “Lule m’lule”, diskutimin mbi projektin Alyssum murale me artistin Rémi Lécussan dhe profesorin Aida Bani, performancën e dytë të Hashel Al Lamki dhe Ndrekodjalit, si dhe shfaqjen e veprave video të Elian Stefa, të shoqëruar me një sesion pyetje-përgjigje.
“Studiot e Hapura” do të jenë të aksesueshme për publikun çdo ditë nga ora 14:00 deri në 22:00, ndërsa programi publik do të vijojë deri në orën 23:30. Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen në ambientet e Vila 31 x Art Explora, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë, dhe hyrja është e lirë për të gjithë.






