Një atmosferë e veçantë artistike mbizotëroi në Art Gallery, Marigona Hill, ku fotografi me famë botërore Fadil Berisha, një prej ikonave më të shquara të fotografisë bashkëkohore shqiptare, prezantoi ekspozitën e tij "Before Beauty / After Beauty" të organizuar nga RLF në kuadër të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival.

Mbrëmja u shndërrua në një nga ngjarjet më të komentuara kulturore të sezonit, duke mbledhur një numër të madh personalitetesh nga fusha e biznesit, artit, medias, modës dhe ekranit, si dhe shumë të rinj, studentë e dashamirës të fotografisë, të etur për të njohur nga afër rrugëtimin dhe filozofinë krijuese të artistit.

Përmes një përzgjedhjeje të kuruar me kujdes, publiku pati mundësinë të udhëtonte në universin artistik të Berishës, karriera e të cilit shtrihet në katër dekada dhe përfshin bashkëpunime me emrat më të njohur të modës, artit dhe industrisë së filmit në botë duke na bërë gjithnjë e më tepër krenar. Çdo fotografi dëshmonte elegancën, ndjeshmërinë estetike dhe përsosmërinë që e kanë bërë emrin e tij sinonim të fotografisë elitare ndërkombëtare.



Në një moment tepër emocional të mbrëmjes, Fadil Berisha falënderoi të pranishmit për mikpritjen dhe shprehu mirënjohjen e tij për faktin se kjo ishte ekspozita e tij e parë në vendlindje, një moment që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.




Nën moton "Play Music, Not War", hapja e festivalit bashkoi muzikën, fotografinë dhe nostalgjinë në një mbrëmje që dëshmoi edhe njëherë se arti mbetet ura më e fuqishme që lidh njerëzit. Ekspozita "Before Beauty / After Beauty" vazhdon të mirëpresë vizitorët deri më 31 korrik në Art Gallery, Marigona Hill, duke u dhënë mundësinë të përjetojnë nga afër veprat e një mjeshtri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën ndërkombëtare të fotografisë.

