KreuArt

Për të tretin vit radhazi komediano do të prezantojë Oscar 2027

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka konfirmuar se Conan O'Brien do të prezantojë ceremoninë e 99-të të çmimeve Oscars në vitin 2027, duke shënuar kështu vitin e tretë radhazi në rolin e moderatorit të eventit më të madh të kinemasë botërore.

Lajmi u bë publik më 12 maj, ndërsa Presidenti i Disney Television Group, Craig Erwich, vlerësoi energjinë dhe stilin unik të humorit që O'Brien ka sjellë ndër vite në ceremoninë prestigjioze. Sipas tij, prezenca e komedianit e ka kthyer Oscars në një nga netët më argëtuese të industrisë së filmit.

Producentët Raj Kapoor dhe Katy Mullan do të rikthehen gjithashtu për të katërtin vit radhazi në krye të produksionit të ceremonisë. Në një deklaratë të përbashkët, ata e cilësuan bashkëpunimin me O'Brien si “vërtet të veçantë”, duke e përshkruar atë si një partner kreativ të besueshëm që e bën të gjithë procesin më argëtues, si prapa skenave ashtu edhe në skenë.

Vetë O'Brien, i njohur për stilin e tij ironik, bëri edhe një batutë lidhur me rikthimin e tij në Oscars. “Arsyeja e vetme pse po e prezantoj sërish Oscars është sepse dua të dëgjoj Adrien Brody të përfundojë fjalimin e tij,” tha ai me humor, duke iu referuar fjalimit rekord të aktorit pasi fitoi çmimin “Best Actor” në vitin 2025.

Kur prezantoi për herë të parë Oscars në vitin 2025, ceremonia arriti mbi 19 milionë shikues, duke regjistruar shifrën më të lartë të audiencës në pesë vitet e fundit.

Gjatë një konference për shtyp para ceremonisë së vitit 2026, O'Brien foli edhe për lidhjen emocionale që ka me këtë event. Ai kujtoi momentet kur shikonte me të atin, Dr. Thomas O'Brien, legjendën e televizionit Johnny Carson duke prezantuar Oscars.

“Është e pabesueshme të mendosh se tani jam edhe unë pjesë e asaj kujtese që më lidh me babanë tim,” u shpreh moderatori, babai i të cilit ndërroi jetë në dhjetor 2024.

Ceremonia e Oscars 2027 do të transmetohet drejtpërdrejt nga Dolby Theatre më 14 mars 2027 në ABC dhe Hulu.