
50 vitet e mia janë shumë; janë gëzime të pafajshme fëmijërie, janë emocione të pastra rinie, adrenalinë me rrahje zemre në grykë; janë kujtime, net pa gjumë, pyetje pa përgjigje, vendime të vështira… përgjegjësi e ngarkesë që një grua i mban mbi supe.
Unë jam edhe hije, edhe dritë; hezitim dhe siguri; forcë dhe brishtësi. Unë jam një histori me shumë nuanca.
Unë jam shumë dhe nuk zvogëlohem për askënd dhe asgjë… Unë jam 50 ngjyra…
Çdo muaj, në këtë hapësirë të revistës “Bordo”, do të ndalem te një emocion, një frikë, një reflektim mbi trupin, mendjen, vetminë, ambicien, plakjen, bukurinë, mbi të kaluarën dhe të tashmen. Nuk do të jap këshilla, as do të gjykoj; thjesht do të rrëfej përpara një pasqyre ku ndoshta do ta shihni veten edhe ju.
Sepse secila prej nesh ka një pafundësi ngjyrash…

Aroma e vërtetë e 8 Marsit…
Sa herë kthej kokën pas në fëmijërinë time, muaji mars nuk mund të kuptohej pa datën 7 si Festa e Mësuesit, apo si “prindi idytë” që na edukonte, si dhe 8 Marsi, festa e nënës. Në mëngjes, në shkollë, ne fëmijët i dhuronim mësueses kartolina e lule, mësë shumti mimoza, pasi ajo çel në këtë kohë. Organizoheshin koncerte ku recitonim poezi e i këndonim dashurisë për mësuesite nënat, sidomos nënat, për sakrificat që ato bënin… Duartrokitje për nënën që punonte, lindte, rriste fëmijët dhe mbante peshën e shtëpisë. Mbaj mend fjalën që përsëritej çdo vit: sakrificë. Grave u përmendej sakrifica si grua, s si bashkëshorte, si nënë.
Ishte një fjalë që tingëllonte e bukur, por mua më shkaktonte njëlloj bezdie e trishtimi dhe atëherë nuk e kuptoja dot pse. Por kur e mendoj sot, si grua e pjekur, e kuptoj se atëherë vlera e gruas matej me sa shumë hiqte dorë nga vetja dhe sakrifica ishte virtyti i saj kryesor… Po sot? A vazhdojmë të vetësakrifikohemi? A jemi vërtet më të lira?
Gruaja shqiptare ka ndryshuar shumë. Nuk është më ajo që pret një ditë në vit të festojë vetëm me gra, që kërcejnë me njëra-tjetrën apo të shkojë në ekskursion me shoqet. Ajo ka fituar arsim, zë, karrierë. Por bashkë me lirinë, sot ajo rrezikon të jetë e prangosur nga standardi i bukurisë, nga presioni për të qenë gjithmonë perfekte.
Dikur gruaja lavdërohej për forcën e për djersën që i ndrinte në ballë. Besoj të gjithëve ju kujtohet kënga: “Anës e pas anës o, lumit të fshatit tim, dalin vajzat trimëresha, djersa në ballë ju ndrin”. Sot ajo mund të ketë një ballë të mbushur me botox, por e rëndësishme është të mos ketë rrudha.
Dhe këtu lind paradoksi i kohës sonë: Gruaja është më e lirë. Më e suksesshme. Por edhe më e pasigurt para pasqyrës.
Media sociale ka bërë që presioni estetik sot të jetë më i fortë se kurrë. “Miti i bukurisë” krijon idenë se sa më shumë përparon gruaja, aq më shumë rriten standardet e pamundura për pamjen e saj.
Dhe në mes të këtyre dy realiteteve, unë kërkoj një 8 Mars tjetër, ku të mos jemi më as heroina të sakrificës, as skllave të perfektes, por gra që zgjedhim — si të jetojmë, si të dukemi.
Dhe kjo, për mua, është aroma e vërtetë e 8 Marsit sot.
Gjatë kohës që shkruaja këto rreshta, kam ndier shumë të gjallë aromën e pastër të livandos që quhej “8 Marsi”, e cila kishte një shishe të vogël qelqi. Ajo dhe një buzëkuq rozë kanë qenë dhurata për mamanë time, një 8 Mars të largët diku nga mesi i viteve '80. Mamaja ime hyn te grupi i grave që vërtet kanë sakrifikuar. Ndërkohë do të doja shumë që im bir të mos më shihte si një nënë që e ka rritur duke sakrifikuar, por si një grua që është rritur bashkë me të, pa hequr dorë nga ëndrrat e dëshirat e saj…
Dhe si përfundim, 8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe jo dita e nënës; është ditë proteste, jo vetëm feste.
