Hapi dyert dje në Tiranë ekspozita ‘Light in the Deep’ nga piktorja Blerta Xhomo. Artdashësit mund të shijojnë krijimet e artistes deri më 1 Shkurt 2026 në Galerinë FAB.
Në ekspozitën "Light in the deep" ("Dritë në Thellësi"), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit – si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë. Në veçanti, artistja përfaqëson përplasjen e vazhdueshme të forcave që lëvizin thellësisht individin, duke e bërë atë të lëkundet mes qiellit dhe tokës, shpëtimit dhe mallkimit, duke alternuar momente vitaliteti, pasioni dhe dehjeje, me hovin e shpirtrave të gatshëm për të fluturuar, me imazhe që tregojnë për rënie, pengime mbi copëza të mprehta, rikthime në materialitetin e botës, në kalimin nga empiriumi në limbo. Xhomo propozon një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, i shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian – me ngjyra të forta, kontrastuese dhe qëllimisht jo-natyrore, të përdorura në mënyrë simbolike, figura të shtrembëruara dhe jorealiste, penelata energjike dhe të gjalla – me dramën e kompozimit barok, duke theksuar vijat diagonale, të pjerrëta dhe të lakuara që i japin skenës një dinamizëm të fuqishëm, duke sugjeruar një tension të theksuar emocional, ndonjëherë të thelluar nga kontrasti mes sfondit të errët dhe së bardhës së ndritshme të figurave. Në disa vepra, dallohet ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.
Qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.
Një temë filozofike dhe ekzistenciale me të cilën Blerta Xhomo shkon përtej kufizimeve të paraqitjes fizike për të depërtuar në thellësitë e ndërgjegjes njerëzore, në kërkim të të vërtetave që nuk i përkasin vetëm individit, por marrin një kuptim universal. Është një vepër introspektive që çliron figurën nga kufijtë e së jashtmes, për t’i lejuar energjitë e brendshme të shfaqen në formën e emocioneve, instinkteve, pasioneve dhe dëshirave që përhapen nga trupi drejt së jashtmes, në atmosferën përreth, duke mbushur ajrin si një erë e fortë që i ngre figurat lart ose i ngul në tokë. Bota e jashtme bëhet kështu një zgjatim i gjendjeve të brendshme mendore, një shfaqje e jashtme e forcave që projektohen nga subjekti në hapësirën përreth, duke bërë që figura të ndërthuret me ambientin. Ngjyrat dhe vijat bëjnë të dukshëm dinamizmin fizik dhe emocional të subjektit, trupi i të cilit shpesh nuk ka më pamje njerëzore, por është një vorbull dhe mbivendosje penelatash që, herë japin ndjesinë e shtytjes, hovit dhe lëvizjes, e herë të tensionit, pamundësisë për të lëvizur dhe një graviteti shtypës
Blerta Xhomo paraqet një realitet të brendshëm në vazhdimësi ndryshimi, një rrjedhë që udhëheq dhe përcakton veprimet njerëzore në mënyrë rigjallëruese, të gëzueshme dhe emocionuese, por njëkohësisht edhe shqetësuese e dramatike. Imagjinata e artistes lëviz mes këtyre dy poleve, me vepra që përcjellin ndjenja të kundërta: nga euforia e figurave që vallëzojnë si hyjni, duke përjetuar një lidhje të thellë me jetën, me absolutin, me natyrën përreth tyre (Dehur nga pranvera), te atmosfera e dendur dhe e rëndë që, si një shkëmb, gozhdon trupin e një njeriu pa fytyrë në kryq (N'kryq). Dhe sërish: nga hapat e lehtë dhe të shkathët të figurave që kërcejnë nga toka drejt qiellit, me hovin e atyre që shijojnë emocionin e të qenit të lirë (Ëndërr blu), te ecja e ngadaltë, e rëndë dhe e mundimshme e atyre që arratisen për t’i shpëtuar errësirës, për t’u shkëputur nga një ngërç ankthesh, shqetësimesh dhe frikërash (Arratisje). Një vorbull ndjesish, të lidhura ngushtë në një përqafim, në një ngërç të pazgjidhshëm, zë vendin qendror, ndërsa një erë e furishme dhe kundërshtuese duket sikur do ta fshijë atë, ta shtyjë pas të renë që po avancon, të rezistojë ndryshimit (Mbërritje). Përtej kufizimeve të trupit, shqisave dhe instinkteve, qenia njerëzore ka mundësinë të përjetojë një përvojë mistike, të ngrihet nga imanenca drejt transcendentales, nga materiali drejt shpirtërores (Mes Tokës dhe Qiellit), si dhe të çlirohet nga efektet e dëmshme të konsumizmit të sotëm, të një sistemi që shfrytëzon nevojat, dëshirat dhe pasigurinë e individëve për t’i bërë ata nënshtrues, të përulur, jo më zotër të vetes, ndonjëherë madje duke i privuar edhe nga njerëzillëku i tyre (Konsumerizem). E rrënjosur thellë në përvojën njerëzore, piktura e Blerta Xhomos përkthehet në imazhe të tensionit të pafund midis një force krijuese, vitale dhe të pandalshme që udhëheq dhe ndriçon qenien njerëzore, duke i shtyrë ato të aspirojnë drejt diçkaje më të lartë, dhe aspektit të errët, kaotik dhe pa formë të instinkteve dhe dëshirave që lidhin individët me tokën, me konkretizmin, me materialitetin. Ky koncept shprehet në disa vepra me referencë në ikonografinë e shenjtë, veçanërisht kryqin, si pikë kryqëzimi mes botës tokësore dhe asaj shpirtërore, mes njeriut dhe hyjnores, por edhe si simbol i konfliktit midis atij që kufizon dhe lidh individin dhe asaj që përkundrazi ngre dhe fisnikëron shpirtin. Të jetosh, pra, do të thotë të ecësh mbi një terren të paqëndrueshëm, të pjerrët dhe të rrëshqitshëm, një Golgatha me shkëmbinj të mprehtë ku është e lehtë të pengohesh dhe të ndeshësh të papriturën, por gjithashtu do të thotë të besosh se është e mundur një rrugë tjetër, një shenjë rilindjeje (Jeta 2), shpresa e një dielli që këmbëngultësisht ndriçon, edhe në fund të natës më të errët (Jeta 1 dhe Jeta 3). Nuk ekziston një e vërtetë përfundimtare dhe e pandryshueshme për t’u arritur, por një rrugë që duhet ecur ditë pas dite, duke u pajtuar me dobësitë, pamundësitë dhe papërsosmëritë e vetvetes (Tundimi)
Zgjedhja e formatit të madh — me dimensione që kalojnë 3 metra dhe të ndarë në dy, tre ose katër telajo — amplifikon efektivitetin e një pikture madhështore, monumentale, shumë shprehëse dhe të pasur me kontraste, e aftë të pajtojë ekstazën e vallëzimit dhe dramën e rënies, impulsin e pasioneve dhe qetësinë e pritjes, papërfytyrueshmërinë e shpirtit dhe rëndësinë e trupit. E gjitha kjo shprehet me një stil piktorik që kombinon teatrin dhe lëvizjen, duke bashkuar ndriçimin dramatik dhe kompozicionet dinamike për të sugjeruar ndjesinë e një tregimi në evolucion të vazhdueshëm para syve të vëzhguesit. Përdorimi mjeshtëror i kontrasteve të ngjyrave, që kundërshton absolutin e të zezës dhe të bardhës me neutralitetin e nuancave të grisë, tonet e gjalla të së kuqes dhe të së verdhës me tonet e freskëta të së gjelbrës dhe të së kaltrës, si dhe gjallëria e penelatave, ndonjëherë të shpejta, ndonjëherë të fuqishme, me prekje të shkurtra dhe penelata të gjera, një larmi ritmesh dhe drejtimesh, konfirmojnë Blerta Xhomo-n si interpretuese të një stili që përzien traditën me modernen, pikturën e madhe të së kaluarës me kërkesat e botës bashkëkohore. Në këtë i shtohet edhe aftësia e saj për të përcjellë të vërteta universale, duke ofruar një interpretim autentik, kompleks dhe shumëdimensional, që gjithmonë lë hapësirë për shpresën se është e mundur të imagjinohet një e ardhme tjetër për njerëzimin.
Kuratore Daniela Pronesti
Daniela Pronesti / Historiane e kritike arti, kuratore ekspozitash arti, drejtore botuese e gazetare @latoscananuova offical/Itali
Daniela Pronesti
Me një diplomë me rezultate të shkëlqyera (cum laude) në Historinë e Artit nga Universiteti i Firences dhe specializime në Katalogimin e Trashëgimisë Kulturore nga Universiteti i Modenës dhe Reggio Emilias, si dhe në Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore dhe Institucioneve nga Universiteti Politeknik i Milanos, Daniela Pronestì ka punuar si kritike dhe historiane arti për më shumë se njëzet vjet. Ajo ka kuruar dhe prezantuar ekspozita në Itali (përfshirë Firencen, Milanon, Romën, Venecien, Trenton, Rovereton, Trevison, Sienën, Peruxhën, Pizën dhe Pietrasantën) dhe jashtë vendit (Berlin dhe Stokholm), në galeri arti, muze dhe hapësira institucionale, me tekste kritike të botuara në mbi pesëdhjetë katalogë. Ajo ka kataloguar koleksionet e artit bashkëkohor të Muzeut Santa Maria della Scala (Sienë) dhe ka kuruar një projekt përhapjeje kulturore për Muzeun Shtëpi të Giorgio de Chirico (Romë), në bashkëpunim me Politeknikun e Milanos. Anëtare e Urdhrit të Gazetarëve që nga viti 2011, nga janari 2013 deri në tetor 2023 ajo ka qenë kryeredaktore e revistës mujore të artit dhe kulturës "La Toscana Nuova", të cilën e mori në botim në janar të vitit 2024.
