
Kur hyn në ekspozitën “Ditar i një udhëtari” të piktorit Parid Dule, takohesh së pari me një portret, e pastaj ky udhëtim vazhdon me peizazhe, duke e kthyer kryekëput gjithë sfondin në mbyllje me një pavijon ku spikat aspekti human, nga figurat femërore te nudot. Janë punime krejt ndryshe nga ato që mund të keni parë nga Paridi, pasi kanë një ndjesi lirike, ndryshme nga epizmi që mund të keni hasur në ekspozitat e mëparshme. Sepse ashtu siç ai e ka konceptuar – pra si një ditar – duket se tre vitet e fundit, faqet e këtij udhëtimi kanë patur një tjetër ndjeshmëri tek artisti. Piktori rrëfen për "Bordo" të gjitha faqet e ditarit të tij koloristik…
Si nisi “Ditari i një udhëtari”, a ka një pikënisje që ndezi shkëndijën e parë?
Çdo artist, në thelb, ka një ditar. "Ditar i një udhëtari" është rrëfimi im përmes penelit, një ndalesë në udhëtimin e gjatë të krijimit. Nuk është fundi, por një stacion ku njeriu kthen kokën dhe sheh çka mbledhur gjatë rrugës. Janë tre vite pune, reflektimi, kërkimi dhe mbi të gjitha, një nevojë për të komunikuar me botën përtej fjalëve.
Ndryshe nga ekspozitat e mëparshme, këtë herë kishte doza lirike, jo më epike si më parë, pse?
Ndoshta sepse ky udhëtim është më shumë i brendshëm sesa i jashtëm. Më parë jam marrë me tematikat historike, me epiken që lidhet me kujtesën tonë kolektive. Tani jam ndalur te njeriu, në ndjesinë, në femrën si qenie shpirtërore. Kjo është arsyeja pse ekspozita merr frymë më lirike, më njerëzore.


Peizazhet ngjajnë të qeta, por kanë thellësi përmes ngjyrave dhe temave, si i përzgjodhët ato?
Peizazhet i shoh si hapësira kujtese. Në pamje të parë janë të qeta, por brenda tyre ka tension, ka jetë. Ngjyrat nuk janë vetëm estetikë, janë gjendje. Nganjëherë një blu e thellë flet më shumë se një fjalë. Figurën e vendos aty për të krijuar dialog me hapësirën, për ta humanizuar, për ta bërë të marrë frymë.
Portrete me një prekje magjike, me dozat e Rilindjes, vajza arbëreshe ishte e veçantë...
Vajza arbëreshe për mua nuk është vetëm figurë estetike; ajo është kujtesë, është rrënjë, është shenjë e asaj që mbetet edhe kur koha kalon. Kostumi, nuancat, mënyra si qëndron, janë pjesë e historisë sonë të gjallë. Kjo prekje rilindase që përmendni, është ndoshta mënyra ime për t’i dhënë shpirt së kaluarës, pa e kthyer në muze.
Figura femërore zë një pjesë të madhe në ekspozitë, kush është muza dhe çfarë ju frymëzon?
Figura femërore është boshti i gjithë krijimtarisë sime. Ajo është forca që mban brenda dhe jashtë nesh botën në ekuilibër. Nuk është vetëm frymëzim estetik, është energjia që lëviz gjithçka, një metaforë për jetën, për dritën, për shpirtin.
E kuqja dhe bluja, shfaqen dukshëm, sa e vështirë është për të ruajtur koloritin tuaj identifikues?
Ngjyra është si gjaku i pikturës. E kuqja dhe bluja janë për mua dy ekstreme që takohen, pasioni dhe qetësia, zjarri dhe deti. Nuk është çështje teknike, është më shumë ndjenjë. Kur di të dëgjosh se çfarë kërkon tabloja, koloritin e gjen vetë, ai bëhet pjesë e ADN-së së punës tënde.


A keni frikë nga teknologjia, cikli zemra mekanike, duket një betejë e humanes përballë të ardhmes?
Nuk kam frikë nga teknologjia, por besoj se ajo duhet të mbetet mjet, jo qëllim. ‘Zemra mekanike’ ishte më shumë një metaforë për mënyrën se si njeriu rrezikon të humbasë shpirtin në një botë që po bëhet gjithnjë e më artificiale. Arti është një mënyrë për të rikujtuar humanen, për të mos harruar ndjesinë që nuk mund të prodhohet dot nga makinat.
Edhe pse prej vitesh artist i afirmuar, a ju pëlqen t’ju identifikojnë si mjeshtër i arteve marciale?
Sigurisht. Arti i pikturës dhe artet marciale për mua janë dy rrugë që çojnë në të njëjtin destinacion, njohjen e vetvetes. Disiplina, përqendrimi, respekti ndaj procesit janë të përbashkëta. Piktura është një duel me veten, një përballje fizike dhe shpirtërore po aq sa stërvitja.
Sa kohë zënë artet marciale në jetën tuaj?
Janë pjesë e jetës sime, një ritual që më ndihmon të ruaj ekuilibrin. Nuk është vetëm sport, është një mënyrë të menduari, një filozofi. Nëse nuk do të kisha patur këtë disiplinë, ndoshta nuk do të kisha arritur të jem kaq i përqendruar në pikturë.


I rritur dhe jeton në një familje me ADN artistike, cilat janë këshillat dhe kritikat që merr më shpesh?
Familja ime më ka mësuar të mos harroj rrënjët, por të mos mbetem peng i tyre. Babai, xhaxhai, kanë qenë gjithmonë shembuj të ndershmërisë artistike. Këshilla e tyre ka qenë e thjeshtë: "Bëj art me shpirt, jo për sy". Kritikën më të madhe e kam patur gjithmonë nga vetja.
Mes studentëve dhe angazhimeve familjare, kur do ta gjeni kohën sërish për ekspozitën e ardhshme?
Ekspozitat nuk planifikohen, ndodhin kur ka diçka për të thënë. Ky ‘ditar’ u mbush pas tre vitesh pune. Kur të ndihem gati për të hapur një faqe të re, do të vijë edhe ekspozita tjetër. Deri atëherë, udhëtimi vazhdon...


