KreuArt

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Piktori zgjedh si muzën e tij vendlindjen, çdo detaj nga rrugët dhe objektet ikonike të metropolit, disa të gdhendura mes kujtimesh, e të tjera po aq të gjalla e reale me të cilat takohemi çdo ditë 

Genius Loci, në Romën e lashtë, ishte shpirti mbrojtës i një vendi, një figurë femërore e cila dukej sikur kujdesej për gjithë qytetin. Aty e ka marrë frymëzimin e tij piktori Dastid Miluka, i cili edhe pse prej vitesh jeton në Bruksel, prej së largu e ka patur një sy te qyteti i tij, Tirana. Dastid i takon një grupi artistësh që jetojnë jashtë, por rrënjët e tyre vijojnë të jenë të lidhura fort në vendlindje, duke krijuar një lidhje të fortë emocionale me shpirtin e qytetit. Ekspozita “Genius Loci” (Shpirti i qytetit) rrëfen raportin e piktorit me vendin e tij të lindjes, duke e parë atë përmes imazheve që ka gdhendur në memorie, por edhe asaj që është tashmë e prekshme. Ekspozita është një himn vizual për kontrastet dhe harmonitë e Tiranës: gjelbërimi që përqafohet me ndërtimet e reja, shtigje të qeta që ecin pranë bulevardeve plot zhurmë, dhe fijet e padukshme që lidhin njeriun me vendin. 

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Artisti Dastidi Miluka rrëfen për “Bordo” se gjatë kthimeve të tij në kryeqytet, kërkonte gjithmonë me syrin e një artisti, vendet ku u rrit, detaje që e lidhnin me kujtime apo ngjarje, të cilat ai arriti t’i kthejë sërish penelatës së tij, e cila dallon për ngjyra të forta. Ndaj kjo ekspozitë ka bërë bashkë simbolet, monumentet, traditën, parqet, rrugët dhe objektet tipike të qytetit që e formoi. Ekspozita me 77 punë ka zgjatur për një periudhë 8-mujore, duke nisur fillimisht me vizatime, e duke kaluar pastaj te penalata. 

Në hyrje, ekspozita “Genius Loci” është befasuese! Në holl shoh monumentin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Janë 10 punime në vizatim, të cilat tregojnë heroin në qendër të sheshit me të njëjtin emër. Ngjan si një iluzion optik, por siç rrëfen Dastidi, në planin kryesor qartazi dallohet Skënderbeu, por sfondi përqark është gjithmonë në ndryshim, si për të treguar transformimin që ka ndodhur përqark dhe kjo vjen përmes ngjyra të ndryshme që Miluka ka përdorur për të perceptuar sfondin kohor e historik. Vë re sesi artisti përmes kujtimeve zbulon identitetin e Tiranës me simbole si pëllumbi, një shpend identifikues i tironsave, trëndafili apo kostumet tipike popullore. 

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’



Cikli i pikturave të Parkut të Liqenit Artificial nuk është thjesht një vend në hartën e qytetit: bimësia, pemët, liqeni dhe bëhen bashkë me horizontin urban në zhvillim, duke vendosur në kanavacë përjetimet e një kohe të shkuar, por edhe të tashmes. Aty ndien momente nostalgjie të Dastidit, mes peizazheve dhe elementeve identifikuese, si rrugët me qiparisa, atriumet e vegjël apo amfiteatri, një cikël i cili ka edhe nota romantike. 

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Pohon për “Bordo” se i është dashur të vizitojë vende apo zona të caktuara të Tiranës, e pastaj ka arritur të krijojë një “kolazh fotografik”, pjesë e së cilës bëhen bashkë simbolet më identifikuese të Tiranës. Ndaj edhe piktura kryesore – në sheshin Skënderbe, sjell në një tjetër perspektive të gjitha ndërtesat: Xhamia e Ethem Beut, Kulla e Sahatit, e gjithë Tiranës – Pallati i Kulturës – e të tjera që gjenden përqark, të cilat janë pikturuar në katër sfonde dhe katër ngjyra të ndryshme. “Kam përdorur katër ngjyrat bazë për këto piktura: bluja, e kuqja, e verdha dhe e zeza – duke na dhënë ndjesi të ndryshme, sesi duken ato në stinë apo periudha të ndryshme për të gjithë ata që e njohin këtë vend”. 

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’

Por, teksa sheh vende e simbole të kryeqytetit, dallon herë pas herë një figurë femërore e cila shfaqen diku, e pastaj zhduket. Kjo figurë femërore është një nudo, pak provokuese në dukje, por që në thelb është edhe zemra e tematikës së ekspozitës. Tirana për Dastidin është grua, edhe nga emri Tirana është në grua. Ajo vjen herë me një pozicion mbrojtës, duke shtrënguar në mes të gjirit kullën e qytetit, pastaj e shtrirë në sheshe, rrugica apo para Pallatit të Kongreseve dhe Piramidës, me një qëndrim provokues. Në fakt, femra është një personazh shumë i gjendshëm edhe në piktura e mëparshme të Dastid Milukës, por këtë herë, ajo vendoset jo krejt rastësisht para simboleve identifikuese të kryeqytetit – sipas tij, kjo nënkupton shpirtin e qytetit. Kjo është edhe arsyeja që kjo “muzë” gjendet ngado, ky motiv kombinohet mes urbanistikës unikale, por edhe vendeve identifikuese, herë tërësisht nudo, e herë më pak e dukshme – si për të treguar se Genius Loci gjendet kudo, pavarësisht dinamikës dhe ndryshimet që qyteti ka pësuar ndër vite. Kjo figurë femërore për autorin Dastid Miluka është mbrojtëse e Tiranës së re, asaj ekzistuese dhe të së nesërmes...! 

Dastid Miluka zgjon ‘shpirtin e qytetit’