
Nga Ilda Lumani
“Claudia Cardinale PERGJITHMONË! Sa e bukur na është dukur kinemaja falë teje! Ata sytë e tu, që mrekulluan Sergio Leone dhe gjithë regjisorët e epokës! Ata sy që ndrisnin po aq edhe në moshën tënde të vonë, kur pata fatin të të jepja dorën dhe të merrja ca kujtime të përjetshme”, kjo ishte ndjesia e këtij mëngjesi, kur sapo pashë në rrjet, se ikona e aktrimit italian dhe jo vetëm kishte ndëruar jetë në moshën 87 vjeçare.
Claudia Cardinale, Miss Tunizia, në vitin 1957 shkruajti fatin e saj përmes bukurisë e mandej aktrimit natyral, që e bëri atë aktoren e preferuar të kohës. Për ne shqiptarët ajo u bë e famshme mes filmave ikonikë si: “Girl with a Suitcase” me regjisor Valerio Zurlini, “Il'Bell Antonio” përkrah Marcello Mastroianni me regji të Mauro Bologninit, “Rocco and His Brothers” regjisor Luchino Visconti), “The Leopard” (1963) ku ajo luajti së bashku me gjigantët e kinemasë Burt Lancaster dhe Alain Delon.


Një sukses i shpejtë, brilant, që vetëm 3 vite më vonë nga nisja e karrierës, në rolin e Marias tek “La Ragazza di Bube” (Bebo's Girl), i dha Çmimin e Argjendtë si Aktorja më e Mirë e po këtë vit do të punonte me mjeshtrin e kinemasë italiane, Federico Fellini, në atë që shumë e konsiderojnë si një nga kryeveprat e kinemasë, “8-1/2”.
“Felini ishte i dashuruar me atë theks 'të çuditshëm', që ia shtonte misterin aktores që dikur simbolizonte bukurinë femërore - mishërimi i gruas ideale”, përshkruhet në informacion që ofron Wikipedia për Cardinalen.
Këtu u hapën dyert për prodhimet hollivudiane, si Princesha Dala në filmin e Blake Edwards “The Pink Panther”, “Blindfold” (1965) me Rock Hudson, “Lost Command” (1966), një tjetër komedi “Don't Make Waves” (1967) me Tony Curtis, dhe “The Hell ëwith Heroes” (1968, “The Professionals” (1966) ai që ajo konsideron si më të mirin e filmave të Hollivudit, “Thousand Delights” (1965).


Por, ajo që e bëri Claudia Cardinale të madhe në sytë e gjithë botës është filmi homazh epik i Sergio Leones për Western-in "Once Upon a Time in the West" (1968) - një prodhim italian që kapërcen kufijtë e zakonshëm të Western All'Italiana dhe një kryevepër, e cila me kalimin e viteve ka ardhur duke u vlerësuar ashtu si i takon.

Cardinale luan Jill McBain dhe është personazhi qendror në film rreth të cilit vërtiten protagonistët e tjerë; Henry Fonda, Charles Bronson dhe Jason Robards. Pikërisht për këtë film dua të ndaj një rrëfenjë, që Claudia Cardinale ndau në vizitën e parë dhe të vetme që bëri në Shqipëri, në vitin 2012, në Festivalin e Filmit në Durrës, me producente Anila Varfi. Festival, në të cilin pata fatin të isha si anëtare jurie dhe përfaqësuese shqiptare e Firpresci ( https://fipresci.org/report/art-my-citys-surname/ ), ku për tre ditë pata mundësinë të shkëmbeja më tepër se një dhënie dore. Në bisedën e saj me gazetarë dhe miq të kinemasë, ajo tregoi pikërisht për skenën unike, ku sytë e saj marrin një peshë të jashtëzakonshme për rolin e saj të Jill McBain në “Once Upon a Time in the West”.




“Ishte vapë dhe isha kaq e lodhur nga xhirimet sa shkova tek Sergio dhe i thashë gjithë nerva, që kur do xhiroj se jam e lodhur. Ai më pa në sy dhe më tha qëndro ashtu! Mori kamerën dhe më xhiroi për një kohë të gjatë sytë e mi me nerva dhe gjithë inat. Ajo është skena më e bukur që unë kam në atë film”, tregoi Claudia në atë kohë, një episod që mbetet nga më unikët në kinemanë botërore.
Qofsh e parajsës Claudia dhe faleminderit që na e bërë kinemanë kaq të bukur dhe të sinqertë!


