KreuArt

Lamtumirë Leka Bungo! Regjisori i njohur ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare!

Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Regjisori do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë ( 11 qershor), në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës.

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve.

Karriera e tij përfshin punën si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe elemente të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat”, një nismë e veçantë kulturore në hyrje të Teatrit Kombëtar, që megjithatë nuk arriti të mbijetojë për shumë kohë.

Në vitin 2002, ai emigroi në SHBA, por vijoi të jetë aktiv në fushën e artit. Bungo ka shkruar drama dhe skenarë filmash, si “Pabesia”, “Pas fasadës”, si dhe ka interpretuar në film, duke spikatur me rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).

Në vitin 1998, themeloi televizionin privat Combi dhe në vitin 2001 u emërua anëtar i bordit drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i cili i referohej ngjarjeve të vitit 1997.