Shqipëria arriti sërish të hyjë në finalen e madhe të Eurovision, duke emocionuar publikun shqiptar dhe përfaqësuar vendin me krenari në një nga skenat më prestigjioze të muzikës ndërkombëtare.
Me këngën “Zjerm”, një bashkëpunim artistik mes Shkodra Elektronike, Shqipëria u rendit mes 10 vendeve finaliste të gjysmëfinales së parë, të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Bazel, Zvicër. Ky sukses u prit me entuziazëm në të gjithë vendin, duke ndezur emocionin e shpresës për një rezultat të lartë në natën finale të 17 majit.
Po sa herë ka arritur Shqipëria të prekë finalen? Vendi ynë ka qenë pjesë e festivalit më të madh evropian të muzikës – Eurovision Song Contest – që nga viti 2004, kur debutoi me Anjeza Shahinin dhe këngën “The Image of You”. Që atëherë, Shqipëria është bërë një pjesëmarrëse e rregullt, duke sjellë në skenë artistë të ndryshëm, stile muzikore unike dhe, jo rrallëherë, emocione të mëdha.
Nga 20 pjesëmarrje, Shqipëria është kualifikuar në finale 13 herë, një arritje e rëndësishme për një vend të vogël si i yni, që konkurron mes dhjetëra shteteve evropiane.
-
7 fakte që nuk dini nga Festivali i Këngës në RTSH!
20 Dhjetor, 11:58
Vitet kur Shqipëria ka kaluar në finalen e madhe:
2004 – Anjeza Shahini – "The Image of You" – Vendi i 7-të
2008 – Olta Boka – "Zemrën e lamë peng" – Vendi i 17-të
2009 – Kejsi Tola – "Carry Me in Your Dreams" – Vendi i 17-të
2010 – Juliana Pasha – "It's All About You" – Vendi i 16-të
2012 – Rona Nishliu – "Suus" – Vendi i 5-të (rezultati më i mirë)
2015 – Elhaida Dani – "I'm Alive" – Vendi i 17-të
2018 – Eugent Bushpepa – "Mall" – Vendi i 11-të
2019 – Jonida Maliqi – "Ktheju tokës" – Vendi i 17-të
2021 – Anxhela Peristeri – "Karma" – Vendi i 21-të
2023 – Albina & Familja Kelmendi – "Duje" – Vendi i 22-të
2025 – Shkodra Elektronike – "Zjerm" – Finalistë (rezultatet priten më 17 maj)
Vitet kur Shqipëria nuk arriti finalen:
2005 – Ledina Çelo
2006 – Luiz Ejlli
2007 – Frederik Ndoci
2011 – Aurela Gaçe
2013 – Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko
2014 – Hersi Matmuja
2016 – Eneda Tarifa
2017 – Lindita Halimi
2020 – (Eurovisioni u anulua për shkak të pandemisë)
2022 – Ronela Hajati
Performanca më e suksesshme e Shqipërisë mbetet ajo e Rona Nishliut në vitin 2012, e cila me këngën “Suus” arriti në vendin e 5-të – një sukses i jashtëzakonshëm që ende nuk është tejkaluar.
A do mundet “Zjerm” e Shkodra Elektronike të mposhtë këtë rezultat dhe të hyjë në historinë e Eurovisionit si përfaqësimi më i suksesshëm shqiptar?
Mbetet për t’u parë... por shpresa është e madhe – dhe publiku shqiptar, si gjithmonë, është gati të qëndrojë pranë muzikës sonë në skenën evropiane.



















