Një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut! Më 14 maj 2025, Unipol Forum në Milano u mbush me 16 mijë fansa shqiptarë nga e gjithë Italia dhe më gjerë, për të ndjekur një nga koncertet më të mëdha shqiptare jashtë kufijve: Alban Skënderaj live në Milano.
Arena e famshme, që ka mirëpritur yje botërorë, këtë herë u shndërrua në një epiqendër emocionesh shqiptare. Alban Skënderaj solli një performancë të jashtëzakonshme, që ndërthurte muzikën, kujtimet dhe krenarinë kombëtare.
Në skenë u ngjitën disa nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare: Ledri Vula, Miriam Cani, Elgid Doda dhe TrueCapo, duke krijuar së bashku një mbrëmje të mbushur me energji, ritëm dhe emocion.
Çdo këngë u këndua në kor. Çdo dritë u bë pjesë e një atmosfere magjike. Ishte më shumë se një koncert – ishte një festë krenarie për artin shqiptar, e realizuar me pasion dhe profesionalizëm në një nga arenat më të mëdha evropiane.
Një nga momentet më të ndjera të natës ishte kur Miriam Cani, bashkëshortja e Albanit, u ngjit në skenë. Me një dedikim të sinqertë, Alban Skënderaj emocionoi publikun, "Jam ky që jam sot edhe falë teje. Jam shumë me fat që të kam në jetën time dhe që je nëna e fëmijëve të mi."
Një çast i rrallë ku dashuria, arti dhe mirënjohja u bashkuan për të përmbyllur një natë të paharrueshme.
Pas suksesit historik në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku mbi 25 mijë njerëz e shndërruan “Motiv” në një ngjarje madhështore, Alban Skënderaj bëri histori edhe në diasporë, duke dëshmuar se muzika e mirë nuk njeh kufij – dhe se zemra shqiptare rreh fort kudo që është.



















