
Koha është gjithçka për aktorin Orlando Bloom. Ai u bë një personazh i famshëm botërisht brenda 24 orësh si Legolas, një elf i Tokës së Mesme me flokë të gjatë biondë, në trilogjinë “Zoti i Unazave” të Peter Jackson, një rol të cilin e kishte fituar dy ditë para se të përfundonte studimet në Shkollën e Muzikës dhe Dramës në vitin 1999. "Nuk mund ta besoja”, kujton Bloom. Ai vazhdonte të telefononte agjentin e tij për t'u siguruar që ishte i vërtetë. Fytyra e tij nisi të shfaqej në kopertinat e shumë revistave dhe Bloom u bë një sensacion akoma më i madh pas rolit të Will Turner në trilogjinë "Piratët e Karaibeve" në vitin 2003.
E për habi, një vit më pas, statusi i Bloom u çimentua akoma më fort kur luajti rolin e Paridit, princit trojan në filmin “Troja”, krah Brad Pitt në rolin kryesor. Që atëherë, CV-së së tij i janë shtuar shumë filma, ndërsa po ashtu është shfaqur me sukses në disa projekte në teatrot e Broadway dhe West End, dhe seriale televizive.
Por, gjatë dekadës së fundit ka patur shumë ndryshime në jetën e tij. Bloom e uli vrullin e pamëshirshëm me të cilin kishte filluar karrierën e tij, duke u shfaqur rrallë e më rrallë nëpër filma. Pikërisht në vitin 2011, ai e kishte ngadalësuar karrierën e tij duke u përqendruar më shumë te familja. Ai ka një djalë, i cili lindi po atë vit, në 2011 nga martesa me ish-gruan, bukuroshen australiane Miranda Kerr. Ndërkaq në vitin 2020, ai u bë sërish baba pasi mirëpriti ardhjen në jetën e tij të një tjetër bebeje, këtë herë me të fejuarën e tij, Katy Perry. Por duket se pas kësaj, raporti i tyre u kris dhe pas 3 vitesh lidhje, ata u ndanë gjatë kësaj vere. E duket se tashmë, aktori ka vendosur të dedikohet më fort me role të reja në kinema…!
Deri më tani, filmat e Bloom regjistrojnë fitimet më të larta në historinë e kinemasë që kur ai ishte në të 20-at e tij dhe tani që është 48 vjeç. Ndoshta, ai po ndjek një qasje të qëllimshme, duke zgjedhur me kujdes rolet e tij.
Këtë verë, Bloom luan në “Deep Cover”, një komedi britanike, në rolin e Marlon, një aktor i papunë. Ai ka një shkëlqim të dukshëm në sy kur diskuton për xhirimet e “Deep Cover”. "Nuk kisha bërë më parë filma komedi, por u ndjeva i sigurt dhe mendoj se personazhi im ishte shumë i këndshëm”. Ai u rrit duke dëgjuar “Oasis”, madje ka ndjekur koncertet e tyre para ndarjes së grupit. "Personazhi im është nga Mançesteri. U mbështeta shumë në fizikalitetin e grupit, konkretisht të Liam Gallagher dhe u argëtova shumë”, thotë Bloom. Kur i përmend faktin se performanca e tij në filmat “Piratët e Karaibeve”, po ashtu ka shumë elementë komikë, Bloom thuajse e shpërfill këtë fakt, krahasuar me filmin e fundit.
Duke patur parasysh kolegët e tij – mes tyre Johnny Depp-in eksentrik - nuk është çudi që Bloom është përshtatur shumë ndaj zhanreve, stileve dhe të një industrie të cilën ai e përshkruan "në ndryshim". Ai pohon se përgatitet shumë para se të marrë një rol, sepse i duhet të mësojë përmendësh për shkak të sëmundjes së disleksisë, duke përmendur se puna me Depp ka qenë për të një përvojë e rëndësishme. Duke luajtur krah Depp në rolin e Jack Sparrow, Bloom thekson se prania e tij në sheshxhirim i lejoi të gërmonte më thellë në personazhin e Will Turner. “Në thelb, Will dhe kapiteni Jack janë të ngjashëm. Willi ka momente heroike, por edhe Jack”. Nga ana tjetër, Bloom kujton me dashuri këshillat e aktorit Ian McKellen sidomos rreth teatrit.
“Në teatër mund të provosh diçka të re çdo natë kur ngjitesh në skenë dhe duhet ta mbash audiencën të kuriozuar për ta bërë shfaqjen gjithmonë interesante, ndaj edhe më pëlqen të luaj role teatrale”.
Në vitin 2013 ai luajti veprën e Uilliam Shekspirit, “Romeo dhe Zhuljeta” i cili ishte edhe roli i tij i parë në Broadway. Si një adhurues i veprave klasikëve, e veçanërisht i Shekspirit, ai pranon se do të donte më shumë të fokusohej te teatri, por edhe serialet televizive, sesa te filmat.
Bloom, i cili ka qenë një budist praktikant që nga mosha 16 vjeç, ia atribuon qëndrueshmërinë e tij në një industri kaq të vështirë sikinematografia, aftësisë së tij për të qëndruar i qetë, i durueshëm dhe optimist. Kohët e fundit, aktori e ka gjetur veten duke i dashur performancat fizike. Për rolin e tij si boksier në filmin “The Cut”, humbi 23 kilogramë.
"Gjithmonë e kam admiruar Christian Bale për përpjekjen që ai bën për të ndryshuar trupin për role të ndryshme. Më në fund e bëra dhe unë që të futesha brenda personazhit, të ndjej se si do të ndiheshin ata, duke qenë në trupin e tyre”.
Pikëpamja e tij për të ardhmen e kinemasë së Hollivudit duket se është optimiste, por më shumë duke nxitur filmin e pavarur, i vërtetuar me projekte si “Anora” - i cili u realizua për vetëm 6 milionë dollarë dhe fitoi çmimet e Akademisë. Aktori beson se ka ardhur koha që filmi të japë mesazhe edhe me produksione me kosto të ulët. Aktori Orlando Bloom ka punuar me shumë nga regjisorët më të mëdhenj, por ëndërron të punojë me Martin Scorsese, Christopher Nolan ose Ryan Coogler, por pavarësisht madhësisë së rolit, ai dëshiron të luajë personazhe që kanë rëndësi historike.
“Nuk mendoj për fitimet që do të ketë një film në biletari. Pas njëzet vitesh, dua të kthej kokën pas, të shoh karrierën time dhe të ndihem krenar për personazhet që kam luajtur, edhe nëse filmi nuk është perfekt”, thekson ai. “Thonë se aktorët nuk bëhen interesantë derisa të kenë bërë të njëjtën punë për tridhjetë vjet, unë po i afrohem kësaj”, përfundon aktori Orlando Bloom.
