
Sapo hyn në ekspozitën “Here & Now” të artistit Verim Zendeli, ngjan sikur je pjesë e një universi imagjinar me ngjyra të forta, ku një kub i madh me kulm drejt qiellit të fton të bëhesh pjesë e një bote thuajse futuristike. Artisti nga Gostivari eksploron për herë të parë këtë teknikë i frymëzuar nga filozofia e Walter Benjamin, në kërkim të aurës. Ekspozita e hapur në GOCAT Gallery është e ndarë në dy galeri – ku e para ka instalacione dhe skulptura, ndërsa e dyta sjell krijime ekspresioniste në kanavacë.
Pas ekspozitave në New York dhe Stamboll, jeni në Tiranë, cilat ishin përshtypjen që morët?
Të ekspozosh para publikut shqiptar është sinqerisht një sfidë për artistët shqiptarë në përgjithësi. Për mua ka qenë jo e lehtë pjesa se si do të pranohet ekspozita, koncepti, instalacionet apo teknikën të kombinuara bashkë me pikturat. Tirana është si qendër e artit në Ballkan, ka artistë dhe kritikë të mirë dhe me një shije tepër origjinale, që e vlerësojnë dhe shohin artin edhe në detajin më të vogël. Këtu nuk të ikën gjë pa mos u vërejtur! Ishte ajo dëshira e madhe për të ekspozuar këtu, ndaj përgatita diçka të veçantë dhe unike, një ide apo koncept pak më ndryshe, që ndoshta nuk është bërë këtu me herët dhe përshtypjen mund ta përshkruaj ‘perfekt’. Nuk e prisja që do të pritet me shumë buzëqeshje dhe kritikë të mirë!
Si lindi “Here & Now”, duket sikur veprat janë krijuar enkas për këto hapësira, apo i keni përshtatur?
Veprat janë krijuar dhe përshtatur enkas për këtë hapësire dhe u shfaqën për herë të parë në “GOCAT Gallery”. Ndërkaq, “Here and Now” është një kontinuitet i punës së më hershme time, por tani me një qasje pak më ndryshme, por duke mos ikur nga autenticiteti im, thjesht duke mos dalluar nga puna që bën Verimi e kam ruajtur me shumë kujdes qasjen që kam pasur më herët! Vij me teknikë më ndryshe duke bërë një kombinim të pikturës, skulpturës dhe instalacionit, thjesht një përzierje e tre drejtimeve të artit. Pas gjithë kësaj, ishte konsulta me kuratorët e ekspozitës Prof.Jelldez Asani dhe Elton Koritari ku filluam të ndërtojmë idenë, konceptin si në aspektin estetik apo filozofik, po edhe pjesën si do të qëndrojnë veprat.
Skulpturë, instalacion, pikturë, ku bashkon e ndahen ato për sa i takon teknikës dhe qasjes artistike?
Si fillim janë punuar ndaras - veçmas piktura, skulptura apo instalimet, pra një punë të dyfishtë. Pastaj me kombinimin e njëra – tjetrës, mes tyre krijohet vepra, me teknikë të kombinuar. Për sa u takon kubeve, ata janë punuar direkt brenda kornizës dhe të gjitha përshtatjet që kam bërë jam munduar që nga e para të përshtaten dhe të mos jenë përsëritës, por të jepet ai emocion apo ekspresivitet i atij momenti.

Më pëlqyen format gjeometrike, a është një lloj de konstruksioni i formës së pikturës klasike – e vendosur në një tjetër dimension, por duke ruajtur materialet bazë, kanavacën dhe ngjyrat?
Është ruajtur me kujdes të madh pjesa klasike, pra piktura në pëlhurë, por e kombinuar me një qasje më bashkëkohore! Mua më pëlqejnë format gjeometrike, veçanërisht ato të cilat nuk kanë drejtim, sië është kubi – për shkak se ai është i njëjti, por nëse e vendos në një pikë me kah vertikal, atëherë i jep një drejtim. I gjithë kaosi që paraqitet brenda kubave, si format, teknikat e kombinuara, vijat ose i gjithë kompozimi, del nga ai izolim i cili ka kubi brenda si figurë pa kah, por që unë thjesht i jap një drejtim
Instalacionet dy e tre dimensionale janë kaq futuristike – në raport me hapësirën dhe dritën, a janë një qasje drejt asaj që Walter Benjamin e quan koncepti i aurës?
Instalacionet dy dhe tre dimensionale, përmes përdorimit të hapësirës dhe dritës, lidhen me konceptin e “aurës” të Walter Benjaminit, i cili e përkufizon aurën si përjetim unik dhe të papërsëritshëm. Tek këto instalacione, hapësira nuk është thjesht sfond, por pjesë e vetë veprës artistike. Vizitori duke e parë nga kënde të ndryshme, nëpërmes dritëhijes që krijohet, ndjen një përshtypje personale për atë që po sheh. Kjo e rikthen idenë e aurës në një formë bashkëkohore, ku shikuesi bëhet pjesë aktive e veprës dhe ndihmon që të kuptohet mesazhi dhe qëllimi i veprave.
Perspektiva juaj bazohet të koncepti i kontinuitetit, por a nuk është pak absurd, sepse kur flasim për format gjeometrike ato janë më shumë intuitive në raport me hapësirën dhe kohën?
Është e vërtetë që format gjeometrike perceptohen shpesh si intuitive, kjo nuk e përjashton konceptin e kontinuitetit. Përkundrazi, kontinuiteti i vendos ato brenda një përvoje hapësinore e kohore dinamike, ku këndi i vështrimit dhe koha e shikimit i japin formës kuptime të ndryshme sepse përvoja e vizitorit ndryshon sipas vendosjes në hapësirë, përjetimit të momentit duke i dhënë formës gjeometrike përmbajtje dhe kuptim të ri.

Ndërveprimi i veprës tuaj me artdashësin është sekreti: kur gjendesh para tyre, eksploron çdo kënd për të zbuluar kodet, sa rëndësi ka gjuha që ju përdorni në art?
Gjuha e formave dhe ngjyrave është me shumë rëndësi: ne flasim me veprat. Nëse kjo nuk bëhet atëherë nuk ia del të nxjerrësh diçka të mirë! Çdo herë duhet të jemi të kujdesshëm kur të gjejmë STOPIN tek vepra, as mos e teprojmë, as mos lejmë mangët diçka dhe kjo është një pjesë me shumë rëndësi. Ne duhet të ngacmojmë audiencën me veprat tona dhe ata njëkohësisht të bëhen pjesë e saj, sepse çdo kush nga ne ka historitë dhe përjetimet e përditshme...!
Pavijoni i dytë ka piktura me ngjyra të forta, me thellësi dhe abstraksion përtej gjuhës tradicionale, çfarë përfaqëson kjo për ju?
Pavijoni i dytë është gati i gjithi me piktura dhe është punuar me një ndërlidhje të qasjes ekspresive dhe neorealizëm, një mishërim i dy frymëve: tek njëra ke ndjenjën dhe emocionin e fortë, tek tjetra ke qetësinë. Jam munduar të gjej atë mesin e artë në mes të dy qasjeve në mënyrë që të dyja të bashkëpunojnë me njëra – tjetrën, duke mos konkurruar aspak. Është e vështirë të implementosh këto dy lloje teknikash, por kur bëhen me kujdes del diçka tepër e mirë. Në fund të pavijonit të dy, ka një portreti i punuar në realizëm, ku përveç konceptit që ka në vetvete, unë aty tregoj se punoj edhe në realizëm.Edhe unë nuk e kam filluar direkt me abstraksion ose ekspresionizëm, por ishte puna akademike që e vendosi atë.
A mund të na zbuloni cili ishte perceptimi juaj për artdashësit e Tiranës?
Artdashësit janë vlerësuesit më të mëdhenj veçanërisht në Tiranë: ata kuptojnë shumë, si nga ana teorike, estetike e deri tek ajo praktike. Ekspozita zgjat deri me 26 Tetor, por si fillim vlerësimi ka qenë në një nivel siç e prisja, ndaj jam i kënaqur .


