KreuArt

Gjëra që ngjasin! Dhe Mark Frroku spektakolar i Ylljet Aliçkaj!

 

Nga Ilda Lumani

Dje pasdite lexova librin (ishte pak pa qejf dhe ishte ideale për të ndenjur në krevat dhe lexuar) “Gjëra që ngjasin” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Përgjithësisht nuk lexoj se çfarë komentesh thuhen për librin nga kritikë apo botues, përpara se ta lexoj vetë librin. Më pëlqen të kem përshtypjen time për gjërat, para se t’i përball ato me të tjera këndvështrime. Dhe në të vërtetë lexova një libër që më surprizoi pasi ti pret një histori serioze dhe pikërisht kjo historia serioze ka disa personazhe, që janë seriozisht identifikues të realitetit tonë.

Gjëra që ngjasin! Dhe Mark Frroku spektakolar i Ylljet Aliçkaj!

Një fabul që nis në një mision të pamundur grupi xhirimi francez për të zbulur një histori mitike, idilike, joshëse për audiencën Franzese. Terreni shqiptar ofron mjaftueshëm, e sidomos kur bëhet fjalë për gjakmarrjen, Kanunin e Lekë Dukagjinit, kartën falsë të Azilit Politik për shumë shqiptarë në Perëndim. Gjeneza e këtij reportazhi, bashkuar me paragjykimin, mos njohjen e shqiptarëve, ose njohjen përmes asaj çfarë media ndërkombëtare e ka veshur ndërvite imazhin tonë; vend diktatorial, vend i mbyllur, me më shumë bunkerë se banorë, me njerëz të ashpër, edhe të paditur, i çon reporterët drejt Veriut në kërkim të të ngujuarve, që në fakt nuk ekzistojnë. Por në një kohë kur mashtrimi, gënjeshtra, krijimi i ngjarjeve për hir të qëllimit është kthyer në trend, nuk është çudi, që atje në Malësi bashkë me ritet, respektin, mikëpritjen, zemërgjerësinë, jetën e varfër të takosh personazhe që të shesin sapunin për djathë, e madje ti i ndërgjegjshëm për ‘gënjeshtrën’ e madhe që ke përpara të bëhesh palë, ta cytësh, ta krijosh subjektin siç ke planifikuar dhe t’ia servirësh publikut perëndimor francez.

Është fantastike!

Jo vetëm Mark Frroku, ky personazh i larë me vaj e me uthull, që iku në Bruksel për një jetë më të mirë, e me një ndjeshmëri të madhe ‘atdhetare’ u kthye në tokën e tij, atje në thellësinë e maleve, për të bërë një bujtinë, për t’u ardhur në ndihmë fshatarëve të tij, për të hequr opinionin e keq që bota ka për ne, e që bëhet personifikimi i mikërpritjes shqiptare për dy francezët që nuk kanë lënë mision gazetaresk në vendet e treta pa prekur e bërë ‘scoop’! Po ‘scoop’ të tillë vetëm “Gjëra që ngjasin”, mund t’ua ofrojë. Më tej, lexojeni librin. Është vetëm 145 faqe. Rrjedh shpejt dhe do t’ju japë një qasje të re jo vetëm për veten, por edhe për europianët e idealizuar.