KreuArt

“Tirana – tri jetët e një qyteti”, një botim plot vlerë dhe histori!

“Tirana – tri jetët e një qyteti”, nga Dritan Egro, është një libër mbi historinë e Tiranës nga fillimet e saj në Antikitet e deri në momentin e shpalljes kryeqytet në fillim të shek. XX. Ky libër vjen si një përpjekje për të shpjeguar dhe për t’i dhënë kuptim së shkuarës së Tiranës dhe rajonit që e rrethon, si dy pjesë përbërëse të një realiteti historik që kanë bashkëvepruar intensivisht mes tyre.

Ky libër është një përpjekje për të hedhur dritë mbi atë se ç’ka qenë Tirana; asaj që ende shihet, por edhe e asaj që nuk shihet, por ndihet. Tirana si qytet i periudhës osmane përbën vetëm ‘jetën’ e tretë të kësaj qendre urbane. Në Antikitet ‘rrënjët’ duhen kërkuar në qytetin ilir në Zgërdhesh; në Mesjetë në Krujë; kurse në kohën e re aty ku gjendet sot. Sfida e këtij libri është argumentimi i ‘tri jetëve’ të këtij qyteti. 
Të shkruash historinë e Tiranës do të thotë të rrëfesh traditën e thekshme urbane të tre qyteteve – Albanopolisit/Zgërdheshit, Albanonit/Krujës, e së fundi Tiranës moderne.
“Tirana – tri jetët e një qyteti”, botim i shtëpisë botuese “Mediaprint”, është një libër që hedh dritë mbi vijimësinë urbane 2500-vjeçare të qytetit të Tiranës. Libri evidenton gjithashtu rolin e rrugëve të komunikimit si faktor i rëndësishëm në themelimin dhe vazhdimësinë e jetës urbane.