KreuArt

“Dhuro Dashuri", një projekt muzikor që përçon dashurinë dhe talentin e të rinjve!

“Dhuro Dashuri", një projekt muzikor që përçon

"Dhuro Dashuri" nuk është thjeshtë një këngë, por një ndjesi, kur muzika vjen nga shpirti dhe prek zemrat. E krijuar me përkujdesje nga profesoresha e kantos Anjeza Shehu Agolli, e kompozuar nga Jeris Kaso dhe e shkruar nga  Dylan Reka, "Dhuro dashuri" është një celebrim i vlerave njerëzore, frymëzues për audiencën dhe një pasqyrë e punës së palodhur të nxënësve të saj të talentuar DreamWay. Përmes kësaj krijimi, çdo nota, çdo fjalë dhe çdo performancë sjell emocion dhe një kujtesë të thjeshtë: muzika është gjuhë universale e dashurisë.

"Muzika është një gjuhë universale, dhe ndihem e lumtur që jetën time ia kam kushtuar asaj. Akademia e Arteve dhe diplomimi në Degën e Kantos më hapën derën drejt një bote të bukur, duke më dhënë mundësinë të kuptoj dhe të komunikoj me të tjerët në mënyrën më të sinqertë dhe harmonike. Thuhet se, kur zgjedh profesionin që do, nuk punon asnjë ditë në jetë për mua, kjo është e vërtetë. Muzika dhe puna me fëmijët më kanë bërë një njeri më të mirë dhe më kanë lejuar të ruaj fëmijën brenda vetes. Gjatë këtyre viteve kam punuar me fëmijë të talentuar, duke formuar me durim dhe dashuri zërat dhe shpirtin e tyre. Nxënësit e mi kanë fituar konkurse prestigjioze dhe kanë marrë vlerësime të larta nga personalitete të njohura të muzikës. Gëzohem kur shoh rritjen e tyre në skenë, dhe emocionet tona janë gjithmonë të përbashkëta. Besimi që prindërit më kanë dhënë duke më besuar fëmijët e tyre është i shenjtë për mua.

Përveç zhvillimit artistik të nxënësve të mi, gjithmonë kam dashur të kultivoj tek ata ndjenjën e empatisë dhe frymën e bashkëpunimit. Një artist duhet të jetë, para së gjithash, njeri, dhe kjo duhet të mbetet gjithmonë, pavarësisht suksesit. Një komunikim i mirë sjell paqe, dhe rritja artistike bëhet më e lehtë dhe më e bukur. Këtë miqësi të veçantë që nxënësit e mi kanë mes tyre dëshiroja ta konkretizoja në një projekt artistik të denjë për nivelin e tyre. Kompozitori Jeris Kaso iu përgjigj me përzemërsi kërkesës sime dhe krijoi një këngë të bukur që nderon vlerën e dashurisë njerëzore. Dashuria është gjëja më e shtrenjtë, nuk blihet, por dhurohet dhe përçohet si një zjarr që ngroh marrëdhëniet mes njerëzve. Ky mesazh bëhet edhe më i qartë gjatë festave, ditë kur secili prej nesh ndjen falënderim për mundësitë që jeta ofron.

Jam thellësisht falënderuese për pritjen e ngrohtë, bashkëpunimin profesional dhe muzikën e mrekullueshme që Jeris Kaso krijoi për nxënësit e mi. Ai është një artist i talentuar, bashkëpunues, origjinal dhe modern, i cili ka studiuar me kujdes vokalin e secilit nxënës, duke nxjerrë në pah më të mirën e tyre. Profesionalizmi, njerëzillëku dhe korrektësia e tij e bëjnë bashkëpunimin të lehtë dhe të këndshëm. Më ka impresionuar mënyra e tij e komunikimit me fëmijët dhe komoditeti që u krijon me durim dhe kujdes.

Vargjet e Dylan Rekës ishin të thella dhe harmonizoheshin bukur me muzikën. Dylan, një artist i ri, i talentuar dhe mbështetës ndaj të rinjve, solli një kontribut të rëndësishëm në vlerat artistike të këngës dhe në bashkëpunimin me grupin e nxënësve të mi. Po ashtu, bashkëpunimi me Max Production për videoklipin ishte një eksperiencë profesionale dhe festive, që solli një produkt final shumë cilësor, duke reflektuar shpirtin e festës dhe dashurinë njerëzore.

Jam e lumtur që nxënësit e mi po ecin me hapa të sigurtë në rrugën e artit dhe po tregojnë vlerën e tyre në çdo skenë ku ngjiten. E di që e mira, bukuria dhe vlerat e vërteta gjithmonë do të gjejnë rrugën e tyre. Është një bekim që ende ekzistojnë artistë që mbështesin të rinjtë dhe sjellin dritë mirësie, si Jeris Kaso, një dritë që nxënësit e mi të vegjël do të dinë ta përcjellin me dashuri më tej.

Era, Hersilia, Ariel, Belkisa, Levio, Melina, Elisea, Noela, Alseo dhe Evelina, vazhdoni të besoni fuqishëm në ëndrrat tuaja dhe të gdhendni me durim diamantin e bukur që keni në kordat tuaja!"- u shpreh Anjeza