Tirana Kryeqytet – “Puzzle Tirana Experience” është aktiviteti më i fundit që duhet të vizitoni dhe të lini shenjën tuaj në përmbushjen e një instalacioni domethënës dhe atraktiv.
Projekti më i ri në kryeqytet parashikon realizimin dhe vendosjen e një puzzle-i të madh fizik interaktiv, të përbërë nga 50 pjesë magnetike, i cili do të shërbejë si një instalacion artistik publik në hapësirë të hapur. Puzzle është konceptuar për t’u ndërtuar gradualisht nga qytetarët dhe turistët, duke krijuar në fund portretin artistik të Tiranës, si një simbol i bashkëpunimit, identitetit urban dhe përfshirjes qytetare.


Çdo pjesë e puzzle-it përfaqëson elementë vizualë të atraksioneve ikonike të qytetit dhe është e ndërtuar me materiale të qëndrueshme dhe të sigurta për përdorim publik. Për të rritur ndërveprimin dhe vlerën edukative, instalacioni do të pajiset me një sistem QR Code tematik, i cili do t’u mundësojë vizitorëve akses të menjëhershëm në informacion përkatës në gjuhën shqipe dhe angleze, duke prezantuar historinë, rëndësinë kulturore dhe turistike të secilit atraksion të përfshirë në puzzle. 

Puzzle përfshin gjithsej 10 atraksione kryesore të Tiranës, të përzgjedhura për vlerën e tyre historike, kulturore dhe simbolike për qytetin. Këto janë: Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Blloku, Piramida, Liqeni Artificial, Mali i Dajtit, Muzeu Kombëtar, Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Xhamia e “Namazgjase” dhe Kulla e Sahatit. Përmes kësaj përzgjedhjeje, projekti synon të paraqesë një panoramë të balancuar të Tiranës tradicionale dhe moderne.



Instalacioni do të vendoset pranë Bashkisë së Tiranës, në një zonë me fluks të lartë qytetarësh dhe turistësh, duke garantuar dukshmëri të lartë dhe akses të lehtë për publikun. Puzzle do të qëndrojë i ekspozuar për disa ditë, i cili është i shoqëruar edhe biskota te personalizuara, krijon një pikë referimi vizuale dhe ndërvepruese në qendër të qytetit, si dhe një hapësirë të re për aktivitete kulturore dhe promovuese.


