KreuArt

Koleksioni privat i artit të Valentino Garavani-t

Më 19 janar, Valentino Garavani – i fundit nga couturier-ët e mëdhenj të shekullit XX dhe “perandori i fundit” i modës – u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Romë në moshën 93 vjeç. Përtej rolit të paimagjinueshëm në botën e modës, ai njihet si një artdashës dhe koleksionit i veprave të artit, disa prej të cilave unike. “Jam i zoti vetëm për dy gjëra”, ka thënë dikur dizajneri legjendar italian, “të dizajnoj fustane dhe të dekoroj shtëpi”.

Edhe pse mbahet mend mbi të gjitha për vizionin e tij duke formësuar peizazhin modern të modës, ai ishte ndër dizajnerët e parë që e lidhën hapur markën e tyre me artin dhe artistët bashkëkohorë. Në vitin 2008, ai u bë dizajneri i parë i gjallë i modës që u nderua nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju-Jork për kujdesin ndaj artit, ruajtjen dhe konservimin e tij. Koleksioni i tij privat është i rafinuar, i guximshëm, eklektik, por thellësisht personal – aq sa rivalizon çdo muze të madh. Nga një vlerësim i fundit portofoli i pasurive të tij arrin në vlerën në 1.5 miliardë dollarë.

Koleksioni privat i artit të Valentino Garavani-t

Në fondin e tij gjenden vepra të rralla nga Basquiat te Warhol, nga Picasso te Bacon. Rezidencat e tij janë të mbushura me vepra që pasqyrojnë një kërkim të përjetshëm të bukurisë, ndaj jo më kot ai ka dalluar gjithmonë për stilin e sofistikuar në botën e modës.

Jean-Michel Basquiat ishte një nga artistët që Valentino Garavani adhuron më shumë, sepse siç ai shprehet “përdorimi i ngjyrës nga ai, më ka magjepsur gjithmonë”, ndaj edhe ka arritur të koleksionojë disa nga kryeveprat e tij, mes të cilave “El Gran Espectaculo” e cila qëndroi e varur për dy dekada në sallonin e rezidencës së tij në Fifth Avenue, para se të shitej në Christie’s për 67.1 milionë dollarë. Dy vjet më pas në 2025, një tjetër vepër e Basquiat “Baptismal” u shit nga koleksioni i Valentino-s për 130 milionë dollarë. Valentino filloi të koleksiononte Basquiat pas vdekjes së artistit, pasi rrugët e tyre ishin kryqëzuar dekada më parë në Nju-Jork, në vitet ’80. “E takova sepse ai vinte në shfaqjet e mia pasi ishte i dashuruar me një vajzë që punonte në koleksionin tim. Po rrinte ulur në korridor dhe e zuri gjumi. Gjëja më e pabesueshme ishte se ne e lamë aty dhe ai qëndroi gjithë natën brenda shtëpisë së modës. Ishte një djalë shumë i këndshëm, shumë i dashur, dhe për fat të keq, vdiq shumë i ri”, kujton Garavani.

Gjatë viteve 1970, Valentino u bë pjesë e një rrethi shoqëror me shumë artistë në Factory, mes tyre Andy Warhol. Ata u bënë miq të ngushtë, madje ai kujton se Warhol e ftonte shpesh në studion e tij, moment kur edhe artisti i propozoi të pikturonte portretin e Valentino-s, duke filluar me një Polaroid. Në atë kohë, Valentino nuk ishte plotësisht i sigurt për to dhe kërkoi kohë për të menduar. Nuk i bleu menjëherë, por iu rikthye idesë vite më vonë për të blerë tre polaroidët e tjerë, të cilët i kushtuan edhe më shtrenjtë.

Edhe pse rrallëherë ka folur për jetën e tij, gjatë intervistave dhe fotografive të realizuara në shtëpitë e tij, zbulohen koleksionet e rralla mes tyre edhe vepra të Picasso-s. Pablo ka qenë shpesh një pikë referimi për Valentino-n, ai ishte një admirues i madh i tij. Pesë Picasso gjenden në shtëpinë e tij në Londër mes të cilave “Femme Assise” me vlerë 60 milionë dollarë dhe “Le Repos” plot 39 milionë.

Kjo dashuri e madhe për artin ka nisur herët dhe ndër artistët e parë që Valentino koleksionoi ishte Lucio Fontana, pionieri italian që themeloi lëvizjen e Spatializmit. Në serinë e tij ikonike Tagli, stilisti ka arritur të koleksionojë disa nga veprat e tij. Ndërkaq, një tjetër blerje e hershme ishte një vepër e Arnaldo Pomodoros, i njohur për skulpturat e tij prej bronzi me sipërfaqe të lëmuara gjeometrike dhe të çara në trup.

Pjesë e koleksionit privat janë edhe punë të Francis Bacon: në shtëpinë e tij në Paris gjendet një portret i George Dyer-it, një ish-hajdut londinez, i cili u bë i dashuri dhe muza e Bacon-it, një marrëdhënie e trazuar e cila frymëzoi disa nga pikturat më emocionale të artistit.

Në shtëpinë e Valentino-s qëndron një nga veprat më ikonike të François-Xavier Lalanne – një bar plotësisht funksional në formën e një demi si dhe një tjetër krijim fantastik i tij, në formë hipopotami në përmasa reale, si dhe një seri veprash surrealiste të Lalanne, si një kolltuk në formë krokodili dhe një tufë skulpturash delesh.

Pas një karriere 45 vjeçare, Valentino Garavani ka vendosur një gjurmë të dukshme jo vetëm në botën e modës, por edhe si një kujdestar i artit, adhurues i të bukurës, perandori i fundit i stilit...