Në zemër të Berlinit, në kinemanë historike Kino Babylon, nga 7 deri më 13 maj po zhvillohet festivali “Fly Like An Eagle”, një javë e dedikuar historisë dhe transformimit të kinemasë shqiptare.
Mbrëmja e hapjes së festivalit mbahet sot, më 7 maj, në orën 19:30, me shfaqjen e filmit kult “Vdekja e Kalit” me regji të Saimir Kumbaros dhe interpretim nga Timo Flloko, Raimonda Bulku dhe Niko Kanxheri. Filmi konsiderohet një nga veprat simbolike të fillimit të viteve ’90, duke pasqyruar periudhën e tranzicionit shqiptar dhe ndryshimet e thella shoqërore të asaj kohe.
I ftuar special i natës së parë është vetë Timo Flloko, një nga figurat më të njohura të skenës dhe ekranit shqiptar. Pas shfaqjes, publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në një bashkëbisedim të hapur me aktorin, i fokusuar në filmin dhe rrugëtimin e tij artistik ndër dekada.
Festivali nuk kufizohet vetëm te klasikët e kinemasë shqiptare. Programi përfshin gjithashtu dokumentarë, filma bashkëkohorë dhe produksione nga autorë shqiptarë dhe diaspora. Në ekran rikthehen tituj të rëndësishëm si “Lulëkuqet mbi Mure”, “Koncert në Vitin 1936”, “Përrallë nga e Kaluara” dhe “Liri a Vdekje”, si dhe filma modernë si “Bota” dhe “Të Thyer”.
Kino Babylon, e ndërtuar në vitin 1929 nga arkitekti Hans Poelzig, mbetet një nga hapësirat më ikonike të Berlinit për festivalet ndërkombëtare të filmit dhe artit, duke shfaqur mbi 1000 filma në vit.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përfaqësohet në këtë program me një përzgjedhje të gjerë filmash klasikë shqiptarë, duke përfshirë:
“Nëntori i Dytë” (1982) – Viktor Gjika
“Përrallë nga e Kaluara” (1987) – Dhimitër Anagnosti
“Kur Xhirohej një Film” (1981) – Xhanfise Keko
“Koncert në Vitin 1936” (1978) – Saimir Kumbaro
“Vitet e Pritjes” (1989) – Esat Musliu
“Gjeneral Gramofon” (1978) – Viktor Gjika
“Vdekja e Kalit” (1992) – Saimir Kumbaro
“Lulëkuqet mbi Mure” (1976) – Dhimitër Anagnosti
Festivali mbështetet nga Ambasada e Shqipërisë në Berlin, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Kino Babylon.
“Fly Like An Eagle” synon të krijojë një urë mes trashëgimisë së kinemasë shqiptare dhe brezit të ri të autorëve, duke sjellë në vëmendje një histori të pasur filmike në një nga skenat më të rëndësishme kulturore të Europës.
