
Poetja, redaktorja letrare dhe gazetarja e pavarur Klejda Plangarica është nderuar me Çmimin e Parë në manifestimin kulturor “Muza e Agimit 2026”, një nga aktivitetet më domethënëse që zhvillohet çdo vit në kuadër të “Ditëve të Agimit”, në nderim të heroit Agim Ramadani, në Zhegër.
Ky vlerësim vjen si një tjetër dëshmi e peshës që Plangarica ka fituar ndër vite në letërsinë shqipe, falë një krijimtarie të konsoliduar. Në këtë edicion, ajo u shpall fituese me poezinë “Puhi drite (Mes barrierave të pikësimit)”, një krijim që përcjell forcë mendimi, ndjeshmëri dhe një thirrje të qartë për të mos u ndalur përballë pengesave.

Në një reagim publik, Plangarica ka shprehur mirënjohjen ndaj jurisë dhe organizatorëve, duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti që tashmë është kthyer në një traditë të vyer kulturore. Ajo falënderoi gjithashtu shoqatën “Ditët e Agimit” dhe Ars Clubin “Beqir Musliu” në Gjilan për përkushtimin dhe mikpritjen.

E lindur në Elbasan më 15 gusht 1980, Klejda Plangarica është një emër i njohur në fushën e letrave shqipe. Ajo ka përfunduar studimet Master Shkencor në Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, si dhe një Master të dytë në “Përkatësi Gjinore dhe Zhvillim” në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2012 publikoi vëllimin e saj të parë poetik “Dritëzim ikjesh”, ndërsa krijimet e saj janë përfshirë në një sërë gazetash, revistash dhe antologjish.

Përveç angazhimit si autore, Plangarica ka qenë aktive në organizimin e aktiviteteve kulturore si skenariste dhe moderatore, si dhe mban rolin e Koordinatores për Median dhe Publikun në Festivalin Ndërkombëtar Teatror “Skampa”. Ajo vijon të kontribuojë në letërsi dhe gazetari përmes shkrimeve dhe punës si redaktore e korrektore e veprave letrare dhe shkencore.
Kontributi i saj është vlerësuar edhe me tituj të rëndësishëm si “Ambasadore për Paqen” nga Federata Universale Ndërkombëtare e Paqes dhe “Ikonë e fjalës artistike” nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare. Gjithashtu, ajo është anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve.
Çmimi “Muza e Agimit 2026” vjen si një tjetër gur i rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik, duke e konsoliduar më tej profilin e saj si një nga zërat më të spikatur të poezisë bashkëkohore shqiptare.
