KreuArt

Arta Marku emërohet Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Arta Marku emërohet Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të

Arta Marku është një nga figurat më të njohura të gazetarisë kulturore në Shqipëri, me një karrierë të gjatë dhe të përkushtuar ndaj librit dhe letërsisë, ajo është emëruar së fundmi Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Titulli është bërë me dije nga ministri Blendi Gonxhja me anë të një postimi ku falenderon ndër rreshta edhe drejtuesen e mëparshme.

Marku e nisi rrugëtimin e saj profesional në vitin 1993 me gazetën Koha Jonë, për të vijuar më pas në media të rëndësishme si Gazeta Shqiptare, Shekulli dhe Panorama, ku ka mbajtur vazhdimisht në fokus zhvillimet në fushën e letërsisë.

Gjatë karrierës së saj, Marku ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, duke kontribuar në pasurimin e diskursit publik mbi librin dhe kulturën. Që prej vitit 2014, ajo ka qenë pranë publikut edhe përmes ekranit dhe radios, me emisionet “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana.

Një tjetër dimension i rëndësishëm i angazhimit të saj është afrimi i letërsisë me publikun përmes nismave inovative si “AGORA”, që synojnë krijimin e hapësirave të hapura dhe interaktive për diskutimin e librit.

E përkushtuar ndaj promovimit të leximit, Arta Marku ka zhvilluar takime të shumta me nxënës të gjimnazeve në Tiranë, duke ndikuar në edukimin e brezave të rinj me dashurinë për librin. Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare, duke kontribuar në vlerësimin dhe promovimin e autorëve bashkëkohorë.

Si autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, Marku sjell në çdo angazhim të saj një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e kulturës së leximit në Shqipëri.

Tags:

arta marku