KreuArt

“Burri i shtëpisë” triumfon në Bari: çmim special për filmin e Andamion Murataj dhe interpretimin e Drita Kaba Karaga

Një tjetër sukses për kinemanë shqiptare është shënuar në skenën ndërkombëtare, ku filmi Burri i shtëpisë, me regji nga Andamion Murataj, është vlerësuar me çmimin special në Bif&st Bari International Film Festival.

Ky vlerësim vjen në një edicion ku konkurrenca ishte e fortë, veçanërisht për rolet femërore, çka e bëri përzgjedhjen sfiduese për jurinë. Për këtë arsye, u vendos të jepet një çmim i posaçëm për një interpretim që spikati për thellësinë dhe natyrshmërinë.

Në qendër të këtij vlerësimi ishte performanca e Drita Kaba Karaga, e cila u vlerësua për mënyrën se si ndërtoi një personazh kompleks, duke e sjellë me një thjeshtësi mbresëlënëse në ekran. Roli i saj pasqyron jetën e një gruaje që ka jetuar për vite si burrë, derisa përballet me një ndjenjë të fortë amësie që ndryshon gjithçka.

Juria e cilësoi interpretimin e saj si të fuqishëm dhe të ndjerë, ndërsa filmi u konsiderua një nga më të veçantët e edicionit të 17-të të festivalit.

Nga ana e tij, regjisori Andamion Murataj e përshkroi këtë moment si një rikthim simbolik në Bari, 35 vite pasi kishte mbërritur aty me anijen “Vlora”.

“Burri i shtëpisë” sjell historinë e një burrneshe në një Shqipëri që po transformohet vazhdimisht, ndërsa përzgjedhja e Drita Kaba Karaga në rolin kryesor erdhi si rezultat i aftësive të saj të spikatura artistike dhe fizike.