KreuArt

Mbi 20 vite mes pasionit dhe profesionit, historia e Selvie Markut, gruas që i jep jetë portreteve me qëndisje

Mes punëve të përditshme dhe profesionit më të rëndësishëm të jetës, atij të të qenit nënë, Selvie Marku ka gjetur mënyrën për të mos hequr dorë nga ëndrra e saj. Prej më shumë se dy dekadash, ajo i kushtohet qëndisjes, një pasion që me kalimin e viteve është shndërruar edhe në profesion.

Teksa e pyesim se si nisi gjithçka, ajo buzëqesh dhe kujton fillimet e saj. "E kam pasur shumë herët. Qëndisja nga pak, bëja gjëra që i shikoja e që më pëlqenin. Pastaj vazhdova avash-avash", tregon Selvia.

Nga punimet e vogla të dikurshme, sot ajo realizon portrete dhe punime artistike të përmasave të mëdha, që kërkojnë javë, madje edhe muaj të tërë punë. "Varet nga madhësia. Po bëre një portret shumë të madh, të ha më shumë kohë. Gjithmonë shkon me muaj, një muaj e lart. Ka goxha punë", shprehet ajo.

Por puna nga shtëpia nuk është gjithmonë e lehtë. Përveç qëndisjes, Selvie Marku kujdeset për familjen dhe angazhimet e përditshme. "Kur je në shtëpi nuk i lë dot punët. Ka ditë që nuk e kap fare me dorë punimin, sepse dalin gjëra të tjera", thotë ajo, duke treguar se arti kërkon jo vetëm talent, por edhe shumë durim.

Punimet e saj janë të kërkuara dhe realizohen kryesisht me porosi. Megjithatë, jo çdo vepër arrin të publikohet. Shumë klientë zgjedhin që dhuratat e tyre të mbeten private. "Ka shumë portrete që nuk i kam hedhur. Nuk kanë pasur dëshirë personat. Më thonë: 'Këtë nuk do ma publikosh as në Instagram, askund. E dua personale.' Dhe është shumë e kuptueshme", rrëfen Selvia.

Mjafton një vizitë në faqen e saj në Instagram për të kuptuar se çdo punim mban brenda qindra orë përkushtim. Nga portretet te kompozimet artistike, krijimet e Selvies të lënë pa fjalë dhe të rrëmbejnë vëmendjen me realizmin, detajet dhe finesën e tyre.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Shared post on

Për të, kjo nuk është thjesht një punë. Është një pasion që i jep kënaqësi dhe njëkohësisht lirinë për ta kombinuar me jetën familjare dhe përgjegjësitë e tjera.

Dhe duket se dashuria për këtë art ka nisur të trashëgohet. Ndihmësja e saj më e vogël është vajza, e cila ndjek me admirim punën e së ëmës dhe mundohet të krijojë edhe vetë. "Është e vogël, por ka shumë qejf. Bën punime me rruaza dhe më thotë: 'O mami, këtë e bëj dhe unë'. E ka shumë qejf", tregon Selvia me krenari.

Dëshira e saj është që një ditë vajza ta vazhdojë këtë rrugëtim. "Shumë do doja që ta trashëgonte këtë pasion", thotë ajo.

Edhe pas më shumë se 20 vitesh, Selvia vazhdon të punojë me të njëjtin pasion, duke i dhënë jetë çdo porosie me shumë durim dhe përkushtim.

©️Klesara Beqiri