Dua Lipa ka zgjedhur një tjetër libër me rrënjë shqiptare për klubin e saj të librit, “Service95 Book Club”. Këtë herë, artistja me famë botërore ka rekomanduar librin “Free” të autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, një rrëfim personal dhe historik mbi Shqipërinë në momentin kur regjimi komunist po shembej.
Në prezantimin e librit, Dua ndalet tek historia e Ypit, e cila ishte vetëm 11 vjeç kur socializmi ra në Shqipëri. Deri në atë kohë, ajo ishte rritur me dashurinë dhe besimin e padiskutueshëm të një fëmije ndaj figurave si Stalini dhe Enver Hoxha, ndërsa vendi jetonte në izolim të thellë politik.
Dua thekson se libri e sjell Shqipërinë e asaj periudhe përmes syve të një fëmije, duke e bërë edhe absurditetin e kohës të duket si diçka krejt normale. Ajo përmend edhe një nga kapitujt më domethënës të librit, ku një kanoçe bosh Coca-Cola kthehet në simbol statusi, lakmie dhe konflikti mes fqinjëve, në një vend ku gjërat më të zakonshme për botën perëndimore ishin luks i rrallë.
Por përtej humorit dhe situatave absurde, sipas Duas, “Free” flet për atë që ndodh kur liria vjen papritur dhe rezulton shumë më e ndërlikuar nga sa ishte imagjinuar. Mbyllja e fabrikave, humbja e vendeve të punës, ndarja e familjeve dhe trazirat civile janë pjesë e realitetit që Lea Ypi sjell në libër, duke ngritur një pyetje të madhe: çfarë do të thotë vërtet të jesh i lirë?
“Free më zbuloi gjëra për një vend që e njoh dhe e dua shumë. Historia është kaq e afërt, por përvoja e jetuar ka ndryshuar kaq shumë vetëm brenda një brezi. Çfarë epoke për ta jetuar, çfarë edukimi për ta ndarë”, shkruan Dua Lipa në rekomandimin e saj.
View this post on Instagram
Me këtë zgjedhje, Dua Lipa jo vetëm që sjell në vëmendje një libër të rëndësishëm mbi historinë moderne të Shqipërisë, por edhe i jep një tjetër hapësirë ndërkombëtare zërave shqiptarë në letërsi dhe kulturë.
