
Sean “Diddy” Combs ka finalizuar shitjen e një prej pronave të tij më luksoze në Miami për shumën prej 55 milionë dollarësh, ndërkohë që ndodhet në burg duke vuajtur dënimin.
Rezidenca, e vendosur në ishullin ekskluziv Star Island, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 7,988 metrash katrorë dhe ofron gjashtë dhoma gjumi, tetë banjo dhe një tualet shtesë. Prona ndodhet ngjitur me një tjetër vilë në pronësi të reperit, e cila u bastis nga autoritetet federale në vitin 2024 në kuadër të hetimeve ndaj tij.
Hetimet nisën pas akuzave për trafikim seksual dhe drejtim të një organizate kriminale. Në përfundim të procesit gjyqësor në vitin 2025, Combs u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat për trafikim seksual dhe krijim të një organizate kriminale.
Gjatë gjyqit, artisti shprehu pendesë publike, duke pranuar se kishte bërë gabime dhe duke kërkuar falje për veprimet e tij.
Aktualisht, Sean Combs po vuan një dënim prej 50 muajsh burg dhe, sipas informacioneve të fundit, pritet të lirohet më 8 shkurt 2028.
