KreuKuzhine

3 receta të thjeshta me agrumet e stinës!

Agrume në kuzhinë 

Dimri është sezoni më i mirë për agrumet, ndaj edhe gërshetimi i shijes së tyre në receta u jep atyre një shije unike, qofshin ato të kripura apo të ëmbla. Agrumet e njohura të dimrit përfshijnë portokallin, qitron, limonin, mandarinat apo lime, me të cilat jo vetëm do të krijoni pjata unike që i shtojnë kontrast çdo shijeje, qoftë mish apo peshk, por edhe janë plot me vlera ushqyese. 

Sallatë me patate të ëmbla dhe portokall 

Përbërësit: 

1 patate e ëmbël, 2 portokalle, rucola, 1 qepë e kuqe, 30 g lajthi, 20 g djathë feta, 1 lugë gjelle mjaltë, 1 lugë gjelle lëng limoni, 1 lugë çaji kanellë, majdanoz dhe piper 

Për salcën: 

1 lugë gjelle vaj ulliri, 1 lugë çaji mjaltë, 1 lugë çaji mustardë 

Përgatitja: 

Ngroheni furrën paraprakisht në 200 gradë Celsius, pastaj lani dhe qëroni pataten e ëmbël. Priteni në kube dhe vendosini në një tas të vogël duke shtuar mjaltin, lëngun e limonit, kanellën dhe piperin. Përziejini mirë të gjitha. Qëroni dhe pritini qepën në feta. Vendosini në një tepsi me letër furre kubet e patateve të ëmbla dhe qepën e grirë. Piqeni për afërsisht 45 minuta. 

Pritini lajthitë trashë dhe piqini në furrë për rreth 10 minuta derisa të bëhen krokante. Qëroni portokallet dhe pritini në feta, po ashtu djathin në copa të vogla. 

Kur patatet dhe qepa të jenë gati, vendosini në një pjatë, shtoni rukolën dhe portokallin, përziejini dhe pastaj shtoni lajthitë e copëzuara dhe djathin e prerë në feta. Pjatën shërbejeni duke shtuar salcën që keni përgatitur me vaj ulliri, mjaltë dhe mustardë, si dhe gjethet e freskëta të majdanozit. 

 

Supë me finok, midhje dhe portokall 

Përbërësit:

800 g finok, 1 qepë e vogël, 1/2 tufë koriandëri, 8 midhje, 150 ml vaj ulliri, 2 litra lëng pule, lëkura portokalli, 1 qitro, 200 ml krem pana, kripë dhe piper i sapobluar. 

Përgatitja: 

Qëroni dhe lani perimet. Pritini kokrrat e finokut në feta të trasha dhe qepën grijeni imët. Lani dhe këputni gjethet e koriandrës, pastaj lani midhjet me ujë të freskët. 

Skuqni qepën në vaj ulliri, pastaj shtoni finokun dhe sapo të nisë të zbutet, shtojini një litër lëng mishi dhe gjysmën e koriandrës. Sapo të marrin valën e parë, shtoni lëngun e gjysmës së portokallit, kripën, piperin dhe lëreni të ziejë ngadalë. Kur masa të nisë të trashet, shtoni edhe 1 litër tjetër lëng perimesh derisa masa të kthehet në konsistente. Kalojeni supën në blender derisa të formohet një teksturë kremoze. Hiqeni nga blenderi dhe mbajeni të ngrohtë. Para se ta shërbeni, skuqni midhjet për 2 minuta në vaj ulliri, kriposini dhe piperosini dhe në fund, shtojini lëkurën e portokallit dhe majdanozin e mbetur të grirë. Me një lugë vendosini sipër velutesë, duke e shoqëruar me pak tul qitroje, para se ta shërbeni. 

 

 

Fusili me salcë limoni 

Përbërësit: 

150 g makarona, 200 g kungull, 2 thelpinj hudhër, 2 lugë vaj ulliri, lëngu i 1 limoni, kripë dhe piper 

Përgatitja: 

Zieni makaronat sipas udhëzimeve të paketimit, kullojini dhe ruani pak ujë të zierjes. Nxehni vajin në tigan, skuqni hudhrën për 1 minutë, pastaj shtoni kungullin e prerë në kubikë dhe lëreni të zbutet për 5 minuta. Para se t’i hiqni nga zjarri, hidhni lëngun e limonit dhe pak ujë të makaronave për të krijuar salcë homogjene. Në fund shtoni makaronat, përzieni mirë dhe rregulloni shijen me kripë dhe piper. Shërbejini të ngrohta, me feta limoni dhe pak djathë parmigiano.