KreuKuzhine

Tryeza e fundvitit, receta për gjithë familjen nga BORDO!

 

Sezoni i festave erdhi, e bashkë me të, nata e ndërrimit të viteve, ku ushqimet çdo herë na bashkojnë rreth tryezës më pranë se çdo ditë tjetër të vitit. BORDO sugjeron një menu me receta unike për të vegjlit dhe të rriturit, disa me bazë brumi, të tjera me mish dhe peshk, e padyshim nuk mungon gjeli i detit, e për ta mbyllur mbrëmjen, një ëmbëlsirë, e cila do t’ju lërë pa fjalë. 

 

Yje të kripura 

Përbërësit:

100 g miell, 100 g gjalpë të butë, 120 g djathë parmixhano i grirë, 1 vezë 

Përgatitja:

Përzieni miellin me djathin parmixhano, pastaj shtoni gjalpin e zbutur dhe përzieni me gishta derisa të përftoni një brumë të butë. Rrihni vezën dhe bashkojeni me brumin derisa të bëhet homogjen. Mbështilleni me qese plastike dhe vendoseni në frigorifer për 30 minuta. Më pas hidhni miell në tavolinën e punës dhe hapeni brumin me një okllai me trashësi 5 mm. Pastaj me anën e një forme ylli pritini biskotat dhe vendosini në një tepsi për pjekje. Shtojini sipër djathë parmixhano dhe piqini për 15 minuta në temperaturë 180 gradë Celsius. 

 

 

Mini pica me çizme Krishtlindjesh 

Përbërësit:

100 g miell, 50 g spec, 60 ml salcë domatesh, maja, 2 lugë vaj ulliri, kripë dhe majdanoz. 

Përgatitja:

Në një enë hidhni miellin, përziejeni me majanë dhe më pas shtoni nga pak ujë derisa të formohet një brumë homogjen. Ngroheni furrën paraprakisht në temperaturë 200 gradë Celsius dhe më pas hapeni brumin. Me anë të një thike, pritini picat e vogla në formën e çizmes së Krishtlindjes dhe sipër, me anë të një luge vendosini salcë domatesh, djathin për pica dhe feta specash. Lëreni të pushojë për 10 minuta, pastaj piqeni për rreth 15 minuta në furrë të nxehtë. Sapo të jetë gati, spërkateni sipër me majdanoz të grirë. 

 

 

Fileto derri e karamelizuar  

 

Përbërësit: 

1.5 kg fileto derri, 3 thelpinj hudhre, 4 degë sherbelë, 2 degë trumzë, 1 karotë, 2 qepë, 5 mandarina, 4 lugë gjelle shurup panje, 3 lugë gjelle uthull balsamike, 200 ml lëng mandarina, 2 lugë vaj.  

Përgatitja: 

Vendoseni fileton e derrit në temperaturë ambienti 2 orë para se të filloni recetën që të pushojë. Më pas, me anë të një thike pritini dhjamin në fileto dhe 

brenda tyre futni thelpinjtë e hudhrës në prerje të vogla. Bëni të njëjtën gjë edhe me gjethet e sherbelës. Masazhoni fileton me kripë dhe trumzë. 

Qëroni karotën, qepët dhe 3 mandarina dhe pritini në feta. Më pas në një tas, përzieni shurupin e panjës, uthullën dhe lëngun e mandarinës. Ngroheni furrën paraprakisht në temperaturë 180 gradë Celsius.  

Në një enë skuqni mishin për 10 minuta nga secila anë në vaj të nxehtë. Shtoni qepët, karotat dhe mandarinat, pastaj lyejeni mishin sipër me përzierjen e shurupit të panjës.  

Piqeni për 2 orë në furrë, duke e kthyer mishin në gjysmën e kohës së pjekjes dhe duke e spërkatur rregullisht me lëngun që mishi lëshon. Rritni temperaturën e furrës në 240 gradë në 10 minutat e fundit të pjekjes. Kur të jetë pjekur, zbukurojeni me mandarinat e mbetura të prera në feta.

 

 

Troftë me mollë dhe boronica 

Përbërësit: 

4 trofta mesatare, 2 qepë të kuqe, 5 thelpinj hudhër, disa degëza trumzë, disa degëza rozmarine, 150 g bajame të shtypura, 1 limon, 4 mollë, 300 g boronica, 50 ml vaj ulliri.

Përgatitja

Ngroheni furrën paraprakisht në temperaturë 210 gradë Celsius. Ndërkohë, qëroni dhe grijini imët qepët dhe hudhrat, dhe hiqni gjethet e trumzës dhe rozmarinës nga kërcelli. 

Në një tigan me pak vaj ulliri, skuqni hudhrën dhe qepët bashkë me erëzat, pastaj në fund shtoni bajamet e grira. Pasi të jenë karamelizuar, hiqini nga zjarri dhe lërini të ftohen. 

Mbushni pjesën e brendshme të troftës me përzierjen dhe më pas vendosini në një tavë. Zjeni fetat e mollës të qëruara dhe të prera në katërsh për 10 minuta në ujë të bollshëm, duke shtuar edhe lëngun e një limoni. Shtoni te peshku që keni gati për furrë mollët, limonin e prerë në feta dhe boronicat. Spërkateni me vaj ulliri dhe vendoseni të piqet në furrën e parangrohur për 25 minuta. 

 

Gjeldeti me erëza, mjaltë dhe patate

Përbërësit

1 gjeldeti, 2 lugë gjelle mjaltë, 1 lugë çaji kanellë, 1 lugë çaji kardamom jeshil i grirë, 1 majë shafrani, 5 ml vaj luledielli, 50 g gjalpë gjysmë i kripur, 4 qepë të kuqe, 150 ml lëng pule, 400 g patate, 40 g gjalpë, 200 g bizele, 1 lugë gjelle sheqer kafe, kripë dhe piper.

Përgatitja:

Përzieni mjaltin, vajin, kanellën, kardamomin dhe shafranin, duke krijuar një salcë aromatike. Me të lyejeni gjelin e detit me këtë përzierje dhe lëreni të 

marinohet për 2 orë në frigorifer. Qëroni dhe pritini qepët përgjysmë, pastaj kalojini në një tigan me pak gjalpë dhe vaj, kripë dhe sheqer. Lërini të skuqet, shuajeni me lëngun e pulës dhe lëreni të ziejë për 15 minuta. 

Vendoseni gjelin e detit në furrë duke e lyer sipërfaqen me copa gjalpi dhe vaj, ndërsa në furrë vendosni një gotë ujë që mishi të mos thahet. Pjekja zgjat 90 deri 120 minuta dhe lyejeni me vaj dhe lëngun që lëshon mishi, çdo 30 minuta. 

Shtoni patatet në tavë 30 minuta para përfundimit të gatimit, spërkatini me gjalpë dhe kripë. Ndërkaq, në një tenxhere me ujë me kripë zijeni për rreth 10 minuta bizelet, hiqini dhe kalojini në ujë të ftohtë për të ruajtur ngjyrën e gjelbër. Shërbejeni gjelin e detit me të gjithë garniturën. 

 

Panettone me portokalle 

Përbërësit:

300 g miell, 10 vezë të plota, 250 g rrush të thatë, 200 g sheqer pluhur, 150 g gjalpë, 150 g portokall të sheqerosur, 100 ml ujë, 45 g mjaltë, 10 g kripë, 6 g maja birre, lëkura portokalli, 1 bishtajë vaniljeje dhe 1 lugë gjelle rum. 

Përgatitja: 

Tri ditë para, në një enë përzieni 45 g mjaltë, lëkurën e grirë të 2 portokajve, 1 bishtaje vaniljeje dhe 1 lugë gjelle rum. Lëreni përzierjen të mbuluar në temperaturë ambienti.  

Pas tri ditësh, nisni përgatitjen, duke zhytur fillimisht rrushin e thatë në ujë. Lëreni të zbutet për 2 orë, duke i ndërruar ujin, proces të cilin duhet ta përsëritni çdo 60 minuta. Më pas, shtrydhini dhe vendosini të thahen. 

Filloni me brumin: Tretni 3 g maja birre në 20 g ujë dhe përziejeni me një majë sheqeri dhe miell. Formoni një brumë të butë, mbulojeni me qese plastike dhe lëreni të fryhet për 24 orë, derisa vëllimi të dyfishohet. 

Transferoni brumin në mikser, shtoni 10 të verdha veze, 30 g ujë, sheqer dhe miell dhe punojeni brumin derisa të formohet një masë e lëmuar. Në fund, shtoni rrushin e tharë mirë dhe frutat e sheqerosura të prera në kubikë. Punojeni brumin për disa minuta në mënyrë që të përhapen përbërësit.  

Kalojeni në një enë dhe lëreni të fryhet për rreth 2 orë, derisa të rritet vëllimi. Brumin vendoseni në një formë për panettone dhe lërini të fryhet edhe për 5 orë.  

Vendoseni në pjesën e poshtme të furrës në temperature 170 gradë për 45 minuta dhe pas 30 minutave të para, uleni temperaturën dhe mbulojeni me letër alumini. Pasi të ketë marrë ngjyrë të artë, nxirrni nga furra, vendoseni me kokë poshtë për tri orë dhe kur të jetë ftohur, panettone-ja është gati