
Në një kohë kur kuzhina po përjeton një rilindje të re dhe gatimi është shndërruar në një mënyrë për të shprehur identitetin dhe kulturën, libri i ri i gatimit “Shijet tona” nga Ilda Lumani vjen si një ftesë për t’u rikthyer tek rrënjët. Ky botim i shumëpritur mbledh receta autentike shqiptare, të shpjeguara me kujdes në shqip dhe anglisht.


E ftuar mëngjesin e sotëm në "Wake Up" me Blendi Salajn dhe Heidi Bacin, autorja Ilda Lumani ka treguar disa detaje për realizimin e këtij libri të ri recetash, që synon të ruajë e të përcjellë trashëgiminë kulinare shqiptare.
Blendi Salaj: Kopertina më bëri përshtypje, me pëlqen!
"Nuk ishte kjo kopertina e librit. Një ditë para se ta çoja për shtyp, kisha një kopertinë tjetër dhe në mëngjes po ia tregoja bashkëshortit tim. Ai më tha: “Nuk është kjo kopertina! Shiko ndonjë gjë më të thjeshtë.” Sapo ma tha, e dija se kjo ishte ajo e duhura, sepse e kisha te recetat në libër këtë foto"
Blendi Salaj: Të gjitha këto receta i kemi parë në kuzhinat e nënave dhe gjysheve tona
"Shumica e recetave janë nga Përmeti dhe Jugu, por librin e kam pasuruar edhe me receta nga të gjitha vendet ku kam udhëtuar. Më pëlqen të lëviz nëpër Shqipëri dhe ndër vite kam identifikuar bujtina dhe restorante."
Heidi Baci: Të janë dashur 3 vite për të bërë këtë libër?
"Nuk është se kam ndenjur tri vite ulur duke u marrë vetëm me të, e nisa para tre vitesh, mblidhja receta, i mbaja shënim dhe i botoja në revistën Bordo. Që në fillim, me kunatën time Ledia, e diskutuam si ide dhe i thashë se kisha pak hezitim, pasi njerëzit shpesh kanë frikë nga paragjykimet, duke qenë se merrem me revistë mode dhe televizion, e ndërkohë po shkruaja për receta gatimi. Por, ajo dhe shumë njerëz më mbështetën në këtë drejtim. Dhe fakti, që unë kisha lidhje me botimin, pasi prej 10 vitesh botoj një revistë, e bënte të lehtë përfshirjen time në një botim, qoftë dhe të kësaj natyre"
Blendi Salaj: Recetat janë bërë per 4 persona?
"Recetat janë për 4 persona dhe për familje dhe janë të thjeshta për t’u aplikuar edhe nga të huajt. Libri është edhe në anglisht, sepse në Shqipëri vijnë shumë turistë dhe ajo që ata pëlqejnë, përveç bukurisë së natyrës, vendit dhe motit, është edhe gatimi. Është një mënyrë e mirë për të marrë shijen dhe për të përgatitur ushqime shumë të thjeshta.
Unë kam shumë libra gatimi dhe ka shumë botime, madje edhe shefa që kanë bërë libra shumë të mirë. Janë libra gurme, me receta që zakonisht nuk i përgatit dot në shtëpi. Janë receta në një nivel shumë të lartë, por jo gjithmonë të aplikueshme për njerëzit. Unë vetë nuk e bëj dot një recetë gurme, për këtë shkoj ta provoj në restorant, apo një pjatë ekstravagante dhe fine.
Fundim Gjepali, shefi i njohur, ka shkruar edhe parathënien dhe ka qenë një nga njerëzit që e ka lexuar librin që në fillim. Ai më ka bërë një rezyme shumë të bukur, në fakt e quajti “Tryeza e kujtimeve” dhe në prezantimin e librit e theksoi si një hendek që mungon në historinë e gastronomisë shqiptare, pasi ka pak botime që i përmbledhin këto receta. Mendoj se kjo është diçka e vlefshme, tregu është i hapur, të gjithë mund të shkruajnë e të mbledhin receta, dhe ka nevojë që ato të dokumentohen."
Për të gjithë ata që duan ta kenë të tyren librin “Shijet tona” e gjeni në libraritë: Adrion, Onufri, Leximtari, në Coin Casa, por edhe mund ta porosisni online.

Nga Libera Resulaj

