
Mbrëmja e së martës u shndërrua në një festë të vërtetë kulture dhe tradite në hotel Marriot në Tiranë, gjatë promovimit të librit “Shijet tona” nga Ilda Lumani, një botim që synon të ruajë e të përcjellë trashëgiminë kulinare shqiptare.


Eventi u mbajt në një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, ku u mblodhën miq të autores, personazhe nga bota e medias, ekranit, biznesit, si dhe studiues të gastronomisë.









Autorja, Ilda Lumani, drejtore e revistës “Bordo” dhe gazetare me eksperiencë 20-vjeçare, foli për udhëtimin e saj në botën e recetave po aq edhe të kujtimeve, çka e ka bërë librin unik në llojin e vet. Libri përmban 99 receta dhe është shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ku janë zgjedhur me shumë kujdes receta autentike, që lidhen me vende, njerëz e ngjarje dhe gjithçka që e ka formuar jetën e saj, nga fëmijë deri sot, si një grua, nënë dhe bashkëshorte.
“Ky libër nuk lindi si një ide përfundimtare, ai është mbrujtur me mësimin e pjatave në qytetin tim të lindjes, Përmet, është pasuruar rrugës në çdo vend në Shqipëri, ku unë kam shkuar. Recetat, në mënyrë të pavetëdijshme, i pata shkruar ndër vite, tek-tuk kam ndarë disa prej tyre në faqet e kuzhinës në revistën BORDO, pa emër, vetëm për kënaqësi. Më pas, herë pas here, kam ndarë ndonjë prej tyre në rrjete sociale dhe tre vite më parë, mori rrugën ky libër, i cili u duk i thjeshtë në fillim, por kuptova që për ta finalizuar duhej një kohë e plotë. Prej kësaj vere librit i jam dedikuar plotësisht, kam hequr, shtuar, redaktuar shumë herë, kam marrë mendime nga shumë profesionistë të fushës dhe më në fund tashmë është gati për t’u parë, lexuar dhe testuar në kuzhinë nga çdo njeri që e do kuzhinën shqiptare”, tha ndër të tjera, gjatë fjalës së saj prezantuese, autorja Ilda Lumani.

Në event ndanë mendimet e tyre edhe botuesja e "Mediaprint", Elda Vela, një nga mbështetëset më të mëdha të Ildës në këtë libër, e cila vlerësoi bashkëpunimin e gjatë të tyre, por edhe “vlerën që ka ky libër në pasurimin e gjuhës shqipe, kulturës gastronomike dhe mbajtjes gjallë të traditës, si një pasuri, që duhet të trashëgohet edhe tek brezi i ri”. Biznesmeni dhe shefi i njohur, Fundim Gjepali, i cili ka realizuar edhe parathënien e librit “Shijet tona”, e cilësoi këtë botim “një tryezë kujtimesh". Sipas tij, libri është një vlerë për të mbajtur gjallë dhe të freskët kujtimet tona, emocionet që na fal kuzhina dhe përçimin tek brezi i ri, duke ndihmuar një traditë që fatkeqësisht pak është shkruar dhe memorizuar në Shqipëri.


Gastronimi dhe enologu Ervis Beqiri, president i kompanisë “L&M Comercial”, ndau vlerësimin e tij për librin “si një model për përhapjen e recetave shqiptare, që duhet ta vë në jetë edhe në restorantet në vendin fqinj, në Itali, që unë drejtoj”, ndërsa theksoi edhe bashkëpunimin e suksesshëm disa vjeçar me Ildën, si brand ambassador i kësaj kompanie për etiketat e verërave, distilerisë dhe produkteve elitare që kjo kompani sjell në Shqipëri nga gjithë Europa.
Mes 99 recetave në libër do të gjeni edhe 11 receta të veçanta me produkte shqiptare, të cilat janë tashmë të regjistruara si Tregues Gjeografik i Mbrojtur (TGJM), Emërtim i Origjinës i Mbrojtur (EOM) dhe Specialitet Tradicional i Garantuar (STG) falë mbështetjes së GIZ dhe të redaktuara nga eksperti i gastronomisë tradicionale, Mond Kikino.
Gjatë eventit në ledwall-in në skenë u ndanë momente të bukura, video të bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të biznesit, që iu bashkuan këtij botimi, si Blevedere Resort, nga BALFIN Group, Miele, Neptun, kompanitë ADD, COIN Casa, si dhe L&M Comercial, së bashku me pamje nga rrugëtimi 10 vjeçar i revistës BORDO dhe kanalit të kësaj medie në Youtube.
Qershia mbi tortë ishte muzika Jazz e mrekullueshme, e cila erdhi nga Keli Band me këngëtaren, asetin e muzikës shqiptare, Kamela Islamaj.


Shija shqiptare u përjetua përmes glikove përmetare, vendit të origjinës së Ildës, të cilat ishin në disa versione nga e arrës, portokallit, fikut, shalqinit, domates, etje, produkte 100 % autentike të kompanisë "PREMTI", ndërsa verat dhe shampanjat e zgjedhura me kujdes nga "L&M Comercial" ishin të përzgjedhuar për këtë event kaq fin dhe elegant.



Promovimi i “Shijet tona” nuk ishte thjesht një prezantim libri, por një festë e vlerave, traditës dhe pasurisë që mbartin shijet shqiptare, një kujtesë se kultura nuk ruhet vetëm me fjalë, por edhe me shije. Për të gjithë ata që duan ta kenë të tyren librin “Shijet tona” e gjeni në libraritë: Adrion, Onufri, Leximtari, në Coin Casa, por edhe mund ta porosisni online.




