Pas një karriere të gjatë në ekran, Orinda Huta prej dy vitesh i është larguar televizionit për t’u fokusuar tek një format krejt ndryshe: podcast-i. “Mam”, projekti i saj dedikuar prindërimit, tashmë në sezonin e tretë, është shndërruar në një histori sukses dhe jo vetëm në aspektin profesional.
Në një intervistë në “Opinion”, moderatorja tregoi se vendimi për t’u shkëputur nga televizioni erdhi fillimisht nga nevoja për t’i qëndruar më pranë vajzës së saj, Atarës. Por shumë shpejt zbuloi edhe një tjetër të vërtetë: bota e podcast-eve i ofron jo vetëm fleksibilitet, por edhe fitime më të larta se paga e një moderatoreje televizive.
“Podcast-i më dha kohën që nuk e kisha më në televizion,” tha Orinda. “Mund të xhiroj disa episode për një javë dhe pjesën tjetër t’ia kushtoj familjes dhe projekteve të mia. Dhe financiarisht… po, ia vlen më shumë se një rrogë në media tradicionale.”
Sipas saj, modeli i biznesit të podcast-it i ka mundësuar të shohë drejtpërdrejt efektin e punës së saj: të gjitha të ardhurat shkojnë tek ajo, pa ndërmjetësime. Sponsorët përbëjnë pjesën më të rëndësishme të fitimeve, ndërsa të ardhurat nga klikimet vijnë kryesisht nga shikues jashtë Shqipërisë, pasi shikimet vendase nuk monetizohen.
Orinda pranoi se televizionin e ka lënë pas pa brenga, pasi i impononte orare të ngurta dhe angazhime që nuk i lejonin të ndërtonte projekte të tjera personale. Ndërsa sot, falë podcast-it, ka krijuar një mënyrë pune ku liria, koha dhe të ardhurat janë në duart e saj.
“Është një format që më ka dhënë pavarësi,” u shpreh ajo. “Dhe kjo vlen shumë më tepër se çdo rrogë fikse.”
Me suksesin e “Mam” dhe modelin e ri të të punuarit, Orinda Huta duket se është bërë një prej zërave që dëshmon se trendi i podcast-eve nuk është thjesht mode, por një rrugë e re karriere, ku kreativiteti dhe fitimi mund të ecin krah për krah.
