KreuCelebrity

Lahuta shqiptare shpallet pasuri botërore e UNESCO-s

Lahuta shqiptare shpallet pasuri botërore e UNESCO-s

Lahuta, instrumenti muzikor simbol i identitetit kulturor shqiptar, është përfshirë zyrtarisht në listën e UNESCO-s si pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale që kërkon mbrojtje urgjente. Lajmin e konfirmoi të martën ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe kryeministri Edi Rama.

“Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente,” shkroi Rama në rrjetet sociale. Ministri Gonxhja e konsideroi këtë një arritje të madhe kulturore për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e artit të të luajturit, të kënduarit dhe të prodhimit të lahutës.

Tradita e eposit të Kreshnikëve dhe luajtja e lahutës janë ruajtur ndër shekuj në krahinat veriore shqiptare, si Malësia e Madhe, Dukagjini, Rugova dhe Plava e Gucia. Përmes tingujve të saj janë transmetuar vlerat e trimërisë, besës, nderit dhe mikpritjes.

Procesi për përfshirjen e lahutës në listën e UNESCO-s filloi në mars 2024 dhe u udhëhoq nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Ai u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën,” theksoi ministri Gonxhja.

Tags:

lahuta