Moderatori Turjan Hysko dhe bashkëshortja e tij, Orinda Huta, kanë ndarë së fundmi një histori të thellë personale, duke rrëfyer se Orinda pësoi një abort spontan gjatë shtatzënisë së saj të parë. Çifti tregoi se gjithçka ndodhi në javën e 11-të, kur Orinda i dërgoi Turjanit mesazhin tronditës:
“Bebit nuk i rreh më zemra.”
Turjani kujtoi se ajo ditë ka qenë një nga më të vështirat e jetës së tij:
“Unë humbjen e vetme që kisha përjetuar ishte ajo e babait. Përtej injorancës dhe mosdijes që mund të ketë një mashkull për këto gjëra, aty e kuptova pafuqinë absolute — që nuk ke asgjë në dorë. Për herë të parë nuk dija çfarë të të thosha,” tha ai.
Hysko tregoi se, pavarësisht dhimbjes së madhe, Orinda u tregua e fortë dhe e përmbajtur, duke i thënë disa ditë më vonë:
“Turjan, kjo është diçka normale, është një proces që ndodh.”
Megjithatë, moderatori pranoi se u ndje i zhgënjyer nga njerëzit e afërt, pasi vetëm pasi tregoi historinë e tyre, zbuloi se shumë çifte kishin kaluar të njëjtën përvojë.
“U mërzita me njerëzit tanë të afërt, sidomos me shokët e mi. Vetëm pasi unë e tregova, papritur mësova se shumë çifte kishin përjetuar aborte. Thashë me vete: pse nuk flasin këta njerëz? Ishte një ndjesi shumë e shëmtuar, shumë e dhimbshme.”
Ai foli edhe për peshën e padukshme që një situatë e tillë vendos mbi çiftin:
“Kur e do familjen dhe kur e kupton se do një trashëgimtar, pavarësisht kujt i faturohet faji, krijohet një perde e padukshme mes partnerëve. Duhet shumë forcë karakteri, shumë dashuri dhe shumë qëndrueshmëri që t’i rezistosh. Për fat të mirë, ne ia dolëm. Nuk u dorëzuam.”
Pas tre vitesh përpjekjesh, çifti vendosi t’i drejtohej metodës IVF (Fekondim In-Vitro), e cila rezultoi e suksesshme dhe solli në jetë vajzën e tyre, Atara.

