
Në një kohë kur kuzhina po përjeton një rilindje të re dhe gatimi është shndërruar në një mënyrë për të shprehur identitetin dhe kulturën, libri i ri i gatimit “Shijet tona” nga Ilda Lumani vjen si një ftesë për t’u rikthyer tek rrënjët. Ky botim i shumëpritur mbledh receta autentike shqiptare, të shpjeguara me kujdes në shqip dhe anglisht.
“Shijet tona” sjell një mozaik të larmishëm recetash që vijnë nga çdo cep i Shqipërisë, nga veriu me gatimet e tij të forta dhe aromatike, tek jugu me shijet e buta e mesdhetare. Pite të ndryshme, gjellë të trashëguara brez pas brezi, ëmbëlsira tradicionale dhe receta të harruara që rikthehen me delikatesë, të gjitha përmbledhen në këtë libër që synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë tonë gastronomike.

I ilustruar me fotografi të ngrohta shtëpie dhe të detajuara, libri jo vetëm të udhëzon, por edhe të frymëzon. Çdo faqe transmeton dashurinë për gatimin dhe për ushqimin e bërë me zemër, duke e bërë “Shijet tona” një shoqërues të çmuar në kuzhinë.

Libri i ri i gatimit “Shijet tona” do të lançohet zyrtarisht më 9 dhjetor, në një event ku autorja, Ilda Lumani, drejtore e revistës “Bordo”, do të ndajë me të ftuarit qëllimet dhe frymëzimin që e udhëhoqën gjatë krijimit të këtij botimi, për rëndësinë e ruajtjes së traditës kulinare shqiptare, procesin e përzgjedhjes së recetave dhe vizionin e saj për ta sjellë kuzhinën tonë më pranë brezave të rinj.
