Këngëtarja e njohur Sheila Haxhiraj ka ndarë një prej rrëfimeve më të ndjeshme të jetës së saj gjatë intervistës në emisionin “S’e luan topi”, të moderuar nga Erjona Rusi. E prekura thellë nga kujtimi i vëllait të ndjerë, Henri Haxhiraj, artistja foli hapur për dhimbjen e madhe që e shoqëron çdo ditë.
Sheila u emocionua sapo u përmend emri i Henrit, duke rrëfyer se ai ka qenë mbështetësi i saj më i madh në karrierën muzikore.
“Gjithmonë më ka përkrahur në mënyrën e tij. Më mungon çdo ditë. Mbeta pa gjysmën time, fizikisht… por e di që ai është drita dhe energjia që më mban sot këtu,” u shpreh ajo.
Artistja tregoi se humbja e tij ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për t’u pranuar dhe se plagët emocionale vazhdojnë të jenë të hapura. Ajo preku edhe vështirësitë shpirtërore që, sipas saj, mund ta çojnë një njeri në momente të papritura e të pakontrollueshme.
“Ndonjëherë jeta të çon në rrugë që gabon… Ka gjëra që janë më të forta se vetja dhe nuk i kemi në dorë,” u shpreh Sheila, duke shtuar se familja ende kërkon përgjigje për atë që e çoi Henrin drejt atij momenti të errët.
E pyetur nëse familja kishte vënë re ndryshime në sjelljen e tij, këngëtarja ishte e prerë:
“Henri nuk ka treguar kurrë shenja shqetësimi. Nuk ka dashur asnjëherë të na rëndonte me problemet e tij,” tha ajo.
Sheila kujtoi edhe ditën më të vështirë të jetës, kur e gjeti vëllain pas aktit fatal, një moment që, sipas saj, e përndjek vazhdimisht. “Nuk arrita ta shpëtoja… pse nuk i kushtova më shumë vëmendje? Pse nuk isha unë në vend të tij?” rrëfeu ajo me lot në sy.
Artistja mohoi gjithashtu lajmet e qarkulluara në media se Henri vuante nga depresioni, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Henri nuk ka pasur depresion. Ajo që ka ndodhur ka qenë një moment i papritur axhitimi. Gjithçka tjetër që është thënë ka qenë abuzim mediatik,” deklaroi Sheila.
Rrëfimi i saj i sinqertë preku publikun, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e ndjeshmërisë, kujdesit emocional dhe respektit ndaj familjeve që përballen me humbje të tilla tragjike.
