Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën dje pas gjashtë ditësh trajtimi në QSUNT, kanë ngritur akuza të rënda ndaj Spitalit të Durrësit, duke deklaruar se kujdesi fillestar ndaj të miturit është zhvilluar në kushte të papranueshme, madje “si në mesjetë”.
Pas plagosjes së rëndë, Erjoni iu nënshtrua një operacioni në Spitalin e Durrësit, por gjatë ndërhyrjes ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Për shkak të situatës kritike dhe faktit se plagët kishin prekur zonën e zemrës, ai u dërgua me urgjencë në QSUNT për trajtim të specializuar.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua. E kemi mik shtëpie dhe dimë gjithçka që ka ndodhur,” – është shprehur për JOQ një i afërm i familjes Boba.
Media ka kontaktuar edhe të afërm të tjerë të viktimës, të cilët kanë konfirmuar të njëjtën ngjarje: ndërprerjen e energjisë gjatë operacionit të Erjonit, gjë që detyroi mjekët të ndërprisnin ndërhyrjen dhe ta transferonin të riun në Tiranë. Ata theksuan se mjekët kanë bërë maksimumin, por kushtet e spitalit ishin skandaloze.
“Po, kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita. Por të gjithë po mundohen të mbulojnë diçka – që nga vrasësit, policia, spitali, media – të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për pesë ditë, askush. Mjekët aty janë përpjekur, por kushtet janë fatale. As ashensor për emergjencat nuk kishte,” – u shpreh halla e të ndjerit për JOQ.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 nëntor, pak pas mesditës, në ambientet e jashtme të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin si Erjoni, ashtu edhe adoleshenti që e goditi me thikë në zonën e gjoksit pranë zemrës. Sipas burimeve, konflikti mes tyre nisi pas një komenti në rrjetet sociale.

