Alban Skënderaj zhvilloi mbrëmjen e djeshme koncertin e tij në Prishtinë, teksa këngëtari hapi ciklin e tij të parë prej katër koncerteve radhazi, një seri shumë e pritur nga publiku kosovar. Me skenografi të kuruar, tinguj live dhe duartrokitje të gjata, ai krijoi një atmosferë magjike që nga momenti i parë.
Mbrëmja mori një ngjyrë të veçantë emocionale kur Albani ndaloi performancën për të kërkuar nga publiku një minutë heshtje në nderim të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në moshën 40-vjeçare. Portreti i Shpatit u shfaq në ekran dhe të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për ta nderuar kujtimin e tij, një moment prekës që preku zemrat e të gjithëve.
Pas homazhit, koncerti u rikthye në ritmet energjike, teksa Albani vazhdoi të interpretojë hitet e tij më të njohura, duke krijuar një lidhje të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë me publikun.
Interesimi për këtë cikël koncertesh ka qenë i jashtëzakonshëm, për këngëtarin i cili është një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të muzikës shqiptare.
