Edi u informua zyrtarisht nga Vëllai i Madh se Dolce nuk është larguar për arsye familjare, por ndodhet në shtëpinë e “Grande Fratello”-s si pjesë e një shkëmbimi mes formateve. Kjo e qetësoi disi, pasi u sigurua se largimi i saj ishte pjesë e një “misioni” të produksionit. Megjithatë, ajo që ai nuk e di — dhe që produksioni ia kurseu për momentin — është e vërteta më e hidhur.
Dolce, gjatë hyrjes në shtëpinë italiane, ka mohuar hapur çdo lloj pëlqimi apo lidhjeje me Edin, duke u shfaqur plotësisht e distancuar. Deklarata që ajo bëri në Itali nuk i ka shpëtuar aspak vëmendjes së personave që menaxhojnë llogarinë e Edit jashtë shtëpisë.
Reagimi i stafit të tij ka qenë i menjëhershëm dhe i mprehtë në Instagram, duke reflektuar zhgënjim të qartë për qëndrimin e Dolcës — një zhgënjim që Edi, brenda shtëpisë, ende nuk e di.
Në një Q&A të zhvilluar sot në profilin cobrakuci, një ndjekës pyeti nëse Dolce pritet të rikthehet të premten. Përgjigja e stafit ishte një tallje e hapur:
“KUSH ËSHTË AJO?”
Ky reagim duket qartësisht si pasojë direkte e mohimit që Dolce bëri në Itali. Për stafin e Edit, nëse ajo mohon publikisht atë që kishte nisur me të, atëherë ajo kthehet në një të panjohur.
Tensionet ishin të dukshme edhe në përgjigjet e tjera. Kur fansat kërkuan të mos e sulmonin Dolcën me arsyetimin se “Edit nuk i vjen mirë”, administruesit u përgjigjën shkurt:
“Duhet me ditë me kuptu.”
Ndërsa akuzave se po ndërhyjnë në marrëdhënien e dyshes, ata iu përgjigjën me një pyetje-kundërpyetje ironike:
“Kush po ndërhyn?”
— duke aluduar se krisja nuk vjen prej tyre, por nga deklaratat e vetë Dolcës jashtë kufirit.

