Aktorja britanike Kate Winslet, 50 vjeç, ka rikthyer vëmendjen tek presioni i pamjes fizike që gratë përjetojnë sot, duke rrëfyer vështirësitë personale me të cilat është përballur që në fillimet e famës.
Winslet kujtoi se periudha pas “Titanic” ishte tejet e vështirë, pasi mediat e bënë trupin e saj një objekt diskutimi të pandalshëm. “Ka pasur shumë kritika për trupin tim. Nuk isha gati për të qenë një aktore e famshme. Ishte shumë e vështirë për mua, aq më tepër që isha shumë e re,” u shpreh ajo.
Aktorja shtoi se shpesh nuk mund të jetonte një ditë të zakonshme pa u ndjekur nga sy kritikë. Këto përvoja e shtynë atë të bëhet një zë i fortë për pranimin e trupit natyral dhe për të inkurajuar gratë të duan veten pa filtra e presione sociale.
Duke kritikuar trendet moderne që nxisin ngjashmëri dhe perfeksion artificial, Winslet u shpreh: “Njerëzit janë të fiksuar pas përsosmërisë dhe kërkojnë të duken të gjithë njësoj.”
Sipas saj, bukuria e vërtetë nuk vjen nga procedurat estetike, por nga natyrshmëria dhe përvoja që e shoqëron rritjen personale. Ajo madje theksoi se disa nga gratë më të bukura që njeh janë mbi 70 vjeç, duke nënvizuar se viteve të jetës duhet t’u japim vlerë, jo t’i fshijmë.
Mesazhi i Winslet është i qartë: gratë e reja shpesh janë të humbura mes standardeve të pamundura të bukurisë, ndërsa bukuria e vërtetë fillon me pranimin e vetvetes.
