Episodi i fundit i podcastit të Orinda Hutës, Mam në të cilën flitet mbi eksperiencën e mëmësisë dhe prindërimit, kësaj here kishte një të ftuar special, gjysmën e saj të zemrës, bashkëshortin Turjan Hysko. Një rrëfim që nuk e kishim parë ndonjëherë nga çifti, i mbushur me emocione të mëdha, ata ndanë një nga historitë më personale dhe më të ndjeshme të marrëdhënies së tyre, duke rrëfyer humbjen e një shtatzënie pas shumë peripecive për të zgjeruar familjen dhe sfidat emocionale që e shoqëruan.
Çifti tregoi se dëshira për të pasur fëmijë ka qenë gjithmonë e pranishme, madje të dy e kishin ëndërruar numrin 4, dy vajza dhe dy djem. Por rrugëtimi drejt prindërimit nuk ka qenë i lehtë.
Turjani kujtoi momentin kur në javën e 11-të mori mesazhin tronditës nga Orinda: “Bebit nuk i rreh më zemra.” Ai e përshkroi atë ditë si një nga më të vështirat të jetës së tij.
“Unë humbjen e vetme kam pasur babin. Aty kuptova pafuqinë dhe realisht u meka dhe nuk dija çfarë të të thosha ty. Ti si gjithmonë e fortë me fjalë themi unë jam i forti në shtëpi, por në fakt e forta je ti. Ti pate disa ditë që u mbylle në shtëpi pastaj the ky është një proces normal,” tha ai, ndërsa vuri në dukje forcën e Orindës, e cila pavarësisht dhimbjes, u përball me situatën me shumë kurajë.
Ai gjithashtu tregon se ajo tregoi se pas humbjes, u tërhoq për disa ditë, por më pas arriti të kuptonte se kjo është diçka që u ndodh shumë çifteve gjë që as vetë nuk e kishte ditur më parë, derisa e zbuloi nga reagimet e njerëzve përreth.
Çifti u shpreh se periudha trevjeçare pas kësaj ngjarjeje ishte testi më i madh për marrëdhënien e tyre.
“E vetmja gjë që kam pasur frikë se mund të na thyente, ishte ai trevjeçar. Por kur i rezistuam, e kuptova që asgjë tjetër nuk mund të na dëmtojë,” u shpreh moderatori dhe këngëtari.
