KreuCelebrity

Anna Gjebrea, sensacioni i “Këngës Magjike”!

Nga Ilda Lumani 

Fotografia: Andis Rado 

Anna Gjebrea sot është emri i ri i spektaklit shqiptar. Nëse deri më dje ajo ishte vajza e Ardit Gjebreas, pas daljes së saj në skenën e Festivalit “Kënga Magjike” ajo gdhendi emrin e saj si prezantuesja e re shqiptare, që premton një rrugë që me siguri do ta sfidojë emrin e të atit. Teksa e ndiqja në skenën e natës finale të Festivalit, që bëri plot çerek shekulli, më dukej (dhe jo vetëm mua), sikur kjo vajzë vetëm 16 vjeçe dukej se kishte lindur për të qenë aty, dhe ma përforconte nga dalja në dalje këtë mendim, jo komforti, që ajo ndjente pranë të atit, apo artistëve që edhe mund t’i njihte hershëm, porse përtej skenarit, dinte të ishte e vërtetë, e sinqertë dhe të thoshte batutën e zgjuar dhe plot humor në çdo rast që situata e kërkonte. E veshur hijshëm dhe elegante, me një stil minimalist Anna tejet e zhdërvjellët solli një model, që e kishim humbur prej vitesh në skenën tonë. Një model, që ndoshta me dhe pa dashje e kishim harruar që ekzistonte, por që tani që ajo na e serviri na vë përpara një përgjegjësie; që të rinjtë duhet të jenë të rinj, që vajzat duhet të jenë pikërisht kështu, që prezantimi është përgjegjësi, që ai që ka mikrofonin përtej peshës së fjalës, ka edhe përgjegjësinë e imazhit. Dhe imazhi i Annës është ai që duhet të serviret, të përqafohet dhe të kthehet në një muzë për të rinjtë sot! Po, aq edhe për ne më të rriturit!  

Në këtë intervistë direkt pas suksesit të Annës, që ishte sensacioni i këtij çerek shekulli të “Këngës Magjike”, ajo rrëfen gjithë emocionet e këtij rrugëtimi historik!  

(Intervista është realizuar një natë pas finales së KM-së) Anna, mbrëmë ishte finalja e Këngës Magjike, si ndihesh sot? 

Kam një emocion të paparë! Është përgjegjësia më e madhe që kam marrë ndonjëherë. Emocionet e mbrëmshme padyshim që ishin më të forta se ato sot, sepse mbrëmë ishte gjithë adrenalina që përjetova, mbyllja e një rrugëtimi shumë emocionues!  

Dueti me babin ishte një nga surprizat e natës finale, si u prit? Çfarë impakti pati? 

Duhet pyetur publiku për këtë (qesh), por që nga ‘feedback-u’ që kam marrë nga njerëzit ka qenë mirë! 

E nise rrugëtimin si këngëtare, tani një eksperiencë e re si prezantuese, si do ta përshkruaje këtë përvojë? 

Një përvojë e re, një terren i ri që nuk e kisha provuar në skena të mëdha, pasi më përpara kam prezantuar në shkollë, ose në vende të vogla. Mendoj se ka qenë një eksperiencë e bukur dhe faleminderit babit për besimin që më ka dhënë. 

Pate 3 prezantime si kantautore, me këngë të reja, të bukura, por dhe aq të ndryshme. Cila ishte për ty kënga që të emocionoi më shumë? 

Secila nga këngët ka një emocion të ndryshëm për mua. Kënga e natës së parë një këngë që e kam bërë vetë për gjërat që kam kaluar, për veten që dua ta gjej, këngët e natës së dytë falënderoj Pat dhe Dog, që kemi bërë këngët në "Invite Only Studios". Kënga e natës së tretë ishte emocion shumë i madh, sepse ishte kënga me babin. Por, nuk mund të veçoj një. Ndoshta të gjithë mund të mendojnë që unë mund të them këngën me babin, por për mua të treja kanë patur nga një emocion të ndryshëm, kështu që nuk i veçoj dot. 

 

Reagimin më të madh nga publiku e ke marrë si këngëtare apo prezantuese? 

Me këngën e kam nisur edhe pak më përpara. Mendoj që në këtë moment specifik ka qenë reagimi më i lartë ndaj prezantimit, por që i kanë pritur të dyja mirë mesa kam parë unë. Kështu që jam mirënjohëse pafund.  

A pate ndonjë moment të sikletshëm pasigurie ose mëdyshjeje në skenë? 

Patjetër që ka. Ka momente të sikletshme, zakonisht në prova më shumë se kur je gjatë ‘live’ harrohet, je vetëm në adrenalinë të lartë dhe nuk mendon për asgjë tjetër. Por, gjatë momenteve të provave ka patur pasiguri me veshjen, me ‘make up’, me flokët, por që të gjitha kanë kaluar dhe çdo gjë doli shumë mirë. 

Kë do të veçoje si momentin më tënd më magjik? 

Padyshim dueti me babin mund të ketë qenë një nga ato momente! Unë nuk kam qarë ndonjëherë në skenë, aty kam qarë në fund. Më vinte të qaja dhe gjatë performancës, por duhet të këndoja dhe thashë mblidhe veten. Ai ka qenë momenti më emocionues për mua! 

"Kënga Magjike" bëri 25 vjeç, është më e madhe se ty. Si e ke njohur ti këtë format dhe çfarë impakti ka te ty ky Festival? 

Është impakti më i madh në jetë, mund të them sepse unë jam rritur me këtë Festival. Edhe videoja që doli në natën finale, ishte videoja ku unë isha e vogël që dilja në skenë dhe prezantoja. Kam një zë të brendshëm që gjithmonë më ka tërhequr drejt "Këngës Magjike". Gjithmonë kam ndenjur me artistët e ndryshëm, që i falënderoj të gjithë që kanë qenë të mirë me mua. Kam ndenjur me njerëz të ndryshëm, kam dëgjuar këngë të cilat i këndoja. Ka qenë gjithmonë një eksperiencë që përveç këtij viti që kam prezantuar, që padyshim është i paharrueshëm, por që edhe vitet e tjera kanë ndikuar që unë të jem kjo që jam sot në raport me Festivalin! 

Kush e dëshironte më shumë prezantimin tënd në "Këngën Magjike", ti apo Arditi? 

Prezantimi im në "Këngën Magjike" në fakt erdhi si një surprizë për mua. Kemi qenë në shtëpi dhe babi më ka dhënë një skenar, dhe më tha, "Mësoje, vish takat, fustanin dhe prezanto se dua të të shoh si je në prezantim". Unë i thashë ‘patjetër’. Pasi prezantova, në këtë moment isha unë, mami dhe shoqja ime e ngushtë, se vëllai në Amerikë, dhe tha, "Ju prezantoj me prezantuesen e  Këngës Magjike 2025". Unë thjesht fillova të qaja, nuk e mbajtja dot veten. Babi e ka nisur si ide, por duke kaluar javët dhe unë e kam kuptuar sa shumë e doja këtë prezantim. 

 

Si është të prezantosh me Arditin, më babain? 

Është përgjegjësi shumë e madhe, është edhe stres në të njëjtën kohë. Pas një fjalie rri e shikon për të kuptuar nëse e thashë mirë apo nuk e thashë mirë. Por, patjetër është një dashuri shumë e madhe se kush nuk do të donte të prezantonte me babain.  

Të bën më shumë kritika apo komplimenta? 

Varet si e shikon sepse komplimentet padyshim që nuk mungojnë, por mua më pëlqejnë edhe kritikat sepse më rrisin, në mënyrën se si mendoj, në mënyrën se si mund të jem në të ardhmen. Të dyja kanë qenë aty, por mua si Anna personalisht kritikat më kanë pëlqyer shumë, pasi më kanë rritur në prezantim dhe si person.  

Na zbulo një kritikë që të ka bërë Arditi? 

Kanë qenë shumë (qesh). Në fillim të emisionit, në javën e parë dhe të dytë kam patur shumë emocione sa me tundej krahu. Dhe babi gjithmonë më thoshte mos e tund atë krah. Por, që e hoqa. Dhe unë doja t’i gjeja diçka babit që të kapesha dhe unë, se më vinte inat që do më kapi, dhe e kuptova që edhe babi e lëvizte krahun, por nuk duket nga xhaketa (qesh). 

Je ti më kërkuese nga vetja apo Arditi ndaj teje? 

Babi është kërkues si person sepse ka shumë disiplinë, edhe në jetën e përditshme edhe në punë, por mendoj që edhe unë jam shumë kërkuese nga vetja. Kanë qenë provat me orë të tëra që padyshim po të mos ishte për babin nuk do ishin bërë, po edhe unë kam ndenjur aty, i kam bërë sepse dhe unë kam dashur më të mirën nga vetja, jo vetëm se më thoshte babi duhet bërë.  

Arditi njihet si njeri i disiplinës, sa ke marrë ti nga ai në këtë pikë? 

Mendoj që kam marrë, por duhet të pyesni babin sa kam marrë. Është njeri i disiplinës, është njëri i kujdesshëm në çdo gjë. Por më pëlqen që gjatë gjithë kohës së provave, nuk ia kam thënë por do e dëgjoj tani, më pëlqen shumë që nuk më ka trajtuar vetëm si gocën e tij. Por, më ka trajtuar si një kolege pune, më ka trajtuar me të njëjtin respekt që i trajton të tjerët! 

Po ti çfarë këshille ose kritike i ke bërë? 

S’mund të them që i kam dhënë këshilla, por që gjithmonë sugjerimet kanë qenë aty tek-tuk. Gjithmonë ka vend për përmirësim në çdo person. 

Anila, nëna jote është gjithmonë pas kuintave, sa ndikim ka ajo në projektet e tua? 

Në qoftë se babi është personi që më jep ato kritikat, mami është gjithmonë ai personi që më thotë, "Bravo, zemra mamit, ke dalë shumë mirë". Kur ka ndonjë gjë që nuk i pëlqen gjithmonë ma thotë.  

Këngët e tua janë të gjitha në anglisht, bashkëpunëtorët e tu po ashtu, përse kjo zgjedhje? 

Unë që kur kam nisur me këngët e kam nisur në anglisht, edhe pse  e vogël me babin kam kënduar këngë shqip. Por ne si brez jemi anglishtfolës, ashtu si prindërit tanë flasin italisht apo gjyshërisht rusisht, ne jemi brez që flasim anglisht dhe jam në një shkollë që është amerikane, edhe mendimet më rrjedhin në anglisht, edhe kur shkruaj tekstet! Por ama kam filluar të shkruaj edhe tekste shqip! 

E pretendon tregun e huaj? 

Akoma nuk e di. Dua thjesht që muzika ime t’i pëlqejë të gjithëve, edhe po mos t’ju pëlqej, unë bëj më të mirën atë që mundem dhe thjesht, dua të shpërndaj pak pozitivitet në tregun muzikor. 

“BeMagic”, si është për ty ky hashtag? 

Si vetë fjala. Unë nuk e kam marrë si një “Be Magic”, unë e kam marrë si një Be Positive, Be Nice, Be humble, pra nuk mund të them që ji magjike, dil bukur, por thjesht të jemi kokulur, të punojmë dhe ta marrim çdo gjë me sy të mirë.  

Shpesh me Arditin në rrjetet sociale, sa përshtatet ai me trandet e brezit të ri? 

Pafund! Përshtatet pafund, domethënë ka shumë qejf. Edhe po të hapësh TikTok-un tim, jam me babin duke bërë kërcime ose gjëra të ndryshme. Kur ishim jashtë shtetit tani i bëra dhe një vlog të vogël duke ngrënë. Përshtatet pafund, është ‘teenager’ komplet (qesh). 

Anna, ti si ndihesh përballë brezit tënd me të gjitha këto sipërmarrje, muzikë, prezantim, të kanë rritur para kohe apo të kanë bërë gati, për një të ardhme? 

Para brezit tim nuk mund të them që jam ndryshe, pasi secili bën gjënë e vet. Ne kishim një projekt vjet në shkollë që po të vije aty dhe ta shikoje, unë bëra këngë, por secili kishte bërë nga një gjë të ndryshme. Unë ndihem njësoj me të gjithë, jam një adoleshente si të gjithë. Nuk mund të them se jam rritur para kohe, padyshim që këto eksperienca të përgatisin më shumë për të ardhmen, por të gjithë bëjmë nga një gjë dhe nuk mund të them që e shoh veten ndryshe nga të tjerët. Secili është i veçantë në mënyrën e vet. 

Me prezantimin e "Këngës Magjike" do të vijosh edhe në të ardhmen? Si e keni menduar do të trashëgohet ky festival? 

Më përpara gjithmonë kam dashur që ta drejtoja unë si Anna, por këtë vit që e mora përsipër prezantimin me babin dhe pashë gjithë lodhjen, jo vetëm timen por të gjithë stafit, që i falënderoj të gjithë për punën e vyer që kanë bërë, nuk e di nëse do t’ia dilja dot që ta bëja, sidomos në këtë moshë 16 vjeçe që jam. Më pëlqen të them të drejtën, por që s’e di akoma.  

Si dëshiron të të njohin njerëzit? 

Nuk mund të them se kam një mënyrë të caktuar që dua të më njohin njerëzit. Dua që të jem një person i dashur për publikun. Kaq dua! Dëshiroj të më shohin si një person ku mund të mbështeten, jo vetëm në ekran dhe në jetën e përditshme. Pra, të më shohin mua si një person ku mund të shohin edhe veten e tyre tek unë.